Dalja nga euro, shtypi i huaj: BE do mbyllë kufijtë me Greqinë

Postuar në 31 Maj, 2012 04:45

Pas ministrisë së brendshme britanike, e cila foli për plane të kufizimit të emigracionit nga Greqia drejt Britanisë, në rast të daljes së Greqisë nga euro, raporte të reja provokative po nxjerrin mediat gjermanisht-folëse. 

Skenari më ekstrem publikohet në gazetën austriake Der Standard, e cila flet për përgatitjet evropiane, deri edhe për mbylljen e kufirit me Greqinë, ku sipas gazetës do të ketë kaos pas zgjedhjeve të 17 qershorit. 

Der Standard, gazeta më e madhe në Austri, vjen me titullin "Kriza greke, BE-ja po përgatitet të mbyllë kufijtë". Duke cituar burime në Bruksel, gazeta shkruan se BE ka një plan për të mbyllur kufirin me Greqinë dhe për ndalimin e lëvizjes së lirë e qytetarëve grekë në Evropë, në rast të tërheqjes së Greqisë nga euro. 

Sipas saj, qeveritë evropiane shqetësohen se dalja e Greqisë nga euro do të shkaktojë rrjedhje masive të tregjeve të kapitalit dhe sidomos një valë emigracioni të grekëve dhe emigrantëve të huaj që ndodhen në Greqi, drejt pjesës tjetër të Evropës. Der Standard shkruan se çështja është trajtuar tashmë dhe udhëheqësit evropianë kanë zhvilluar plane rezervë. 

Nga ana tjetër gazeta gjermane Financial Times Deutschland jep alarmin në lidhje me ndikimin që mund të ketë në Gjermani, një dalje e mundshme e Greqisë nga euro. 

Ekspertët e pyetur nga gazeta për pasojat e daljes së Greqisë nga euro në ekonominë gjermane, thonë se ato do të jenë dramatike. "Mundësia që ekonomia gjermane të hyjë në recesion pas daljes së Greqisë nga euro, arrin në 42%", thotë shumica e ekspertëve, ndërsa David Milleker, ekonomisti kryesor në Bashkimin e Investimeve, thotë se recesioni ka të ngjarë të arrijë edhe 99%. 

Paneli i ekspertëve vlerëson se kriza do të përhapet me anë të sektorit financiar. "Grekët do të tërheqin depozitat e tyre në masë dhe kjo mund të ndodhë edhe në Spanjë, duke rrezikuar krizën e institucioneve financiare në të gjithë Evropën dhe madje edhe në Gjermani”, thotë për gazetën Bert Rürup, Business Consulting i kompanisë Maschmeyer Rürup. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.