'Focus': Fati i Greqisë në një fije, më mirë jashtë eurozonës

Revista gjermane "Focus" shkruan sot në edicionin e saj online se "Fati i Athinës është i varur në një fije". "Nëse Greqia dëshiron të qëndrojë përsëri në këmbë, i duhet të bëjë shkurtime të mëdha në paga dhe pensione, qoftë në eurozonë apo jashtë saj", thuhet në shkrim.
Revista bën përgjegjëse partitë antimemorandum, për paaftësinë e formimit të një qeverie pas zgjedhjeve të 6 majit në Greqi, duke i cilësuar ato “Rambot” e skenës së politikës greke, që duan të anulojnë programet shtrënguese, ose të fshijnë fare borxhin grek.
"Focus", pastaj vë në dukje se, për Evropën është më mirë që Greqia të dalë përfundimisht nga Eurozona, në vend që të vazhdohet me skenarë të dëmshëm. "Pasojat e daljes së Greqisë nga eurozona, do të jenë të dhimbshme dhe me kosto, por ndoshta është më mirë për të gjithë, që ajo të largohet. Nuk ekziston as mundësia më e vogël që duke qëndruar në euro, Greqia t'i bëjë ballë konkurrencës", argumenton gazeta. Autori i shkrimit vëren se pas pranimit të vendit në euro, konkurrueshmëria e vendit është përkeqësuar. Ndërsa në vitet e para ka pasur një shpërthim të investimeve dhe ndërtimit, situata tani ka ndryshuar. Së fundi, shkrimi thekson se ekonomia greke tani varet kryesisht nga eksportet dhe turizmi, të cilat gjithashtu janë në rënie.
Një tjetër artikull për Greqinë botohet në gazetën gjermane "Bild" me titull: "Grekë, çfarë keni bërë me miliardat tona?", ku analisti përpiqet t’iu shpjegojë qytetarëve gjermanë, se si janë shpenzuar në Greqi paratë e ndihmës.
Nga ana tjetër gazeta britanike “The guardian” ka hapur një votim në edicionin online me pyetjen "Cili shtet eurozonë është duke shkaktuar shqetësimin më të madh?", duke ofruar opsionet "Greqia" dhe "Spanja". 76.6% e lexuesve të gazetës britanike besojnë se ekonomia spanjolle është një hap përpara rënies, ndërsa 23.4% janë të shqetësuar në lidhje me Greqinë.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment