Shengeni, BE: 'Ok' rivendosjes së kontrolleve në kufij

Ministrat e Brendshëm të BE-së kanë rënë dakord për reformimin e Shengenit dhe shkak për rivendosjen e kontrolleve në kufij mund të jenë flukset e emigrantëve të paligjshëm. Rregulli i ri parashikon një 'mekanizëm emergjence', sipas të cilit vende të veçanta anëtare mund të mbyllin kufijtë e tyre 'si rruga e fundit', në rast se një tjetër shtet i BE-së nuk kontrollon si duhet kufijtë e tij të jashtëm dhe në rast se 'kërcënohet në mënyrë të rëndë' siguria e brendshme e shteteve të tjera, që do të thotë: në rast se si pasojë hyjnë në BE një numër i madh migrantësh të paligjshëm.
Koha maksimale për këtë masë do të jetë jo më shumë se dy vjet. Falë marrëveshjes së Shengenit, prej 17 vjetësh në Europë nuk ka asnjë kontroll kufitar. Zona pa viza përfshin shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtejnin.
Ajo vepron si një shtet i vetëm me kontrolle kufitare për ata që hyjnë dhe dalin nga zona, por jo për ata që qarkullojnë brenda saj. Nëse një emigrant i paligjshëm arrin të hyjë në zonën Shengen, ai ose ajo mund të qarkullojë lirisht në të gjitha vendet e zonës. Aktualisht, traktati Shengen lejon rivendosjen e kontrolleve kufitare, në raste kërcënimesh terroriste apo të sigurimit.
Albanian Screen
Add new comment