Greqi, "Kathimerini": Shteti ka para deri në fund të korrikut

Postuar në 13 Qershor, 2012 06:58

Gazeta greke “Kathimerini” shkruan se shteti ka të holla deri në fund të korrikut, duke cituar burime nga ministria e Financave. 

Sipas gazetës, shteti ka aktualisht rreth 2 miliardë euro, shumë që vlerësohet të jetë e mjaftueshme deri në 20 korrik në mënyrë që makina shtetërore të funksionojë pa probleme. Shkruhet gjithashtu se shteti planifikon të përdorë dhe 3 miliardë euro nga Fondi i Stabilitetit Financiar, pas miratimit të veçantë të këtij fondi nga ana e Treshes.

Ekonomistët thonë se natyrisht ekzistojnë skenare për zgjerimin e parave në dispozicion deri në fund të vitit, megjithatë, në çdo rast shteti nuk do të paguajë asgjë tjetër përveç pagave dhe pensioneve.

Sfida e qeverisë së re, sigurimi i të ardhurave, 33 miliardë euro për 6 mujorin e dytë të vitit 2013

Drejtuesit SYRIZA-s u takuan me ministrin grek të Financave, për të mësuar mbi gjendjen e financave publike në vend. Qeveria e re, e kujtdo forcë politike apo koalicioni, duhet të mbledhë deri në fund të vitit, të ardhura rekord prej 33 miliardë euro, për të ruajtur qëndrueshmërinë e borxhit grek. 

Fillimi i punës së qeverisë së re përkon me fillimin e gjysmës së dytë të vitit dhe gjatë kësaj periudhe duhet të mbulohet edhe vakuumi i dy muajve të mungesës së qeverisë, që shkaktuan defiçit në mbledhjen e të ardhurave. 

Objektivi i një viti për të ardhurat buxhetore ishte 56.1 miliardë euro, ndërkohë që në gjysmën e parë të vitit u mblodhën vetëm 23.5 miliardë (në vend të 28 miliardëve). Kështu, gjatë 6 muajve në vazhdim qeverisë i duhet të mbledhë gjysmën e objektivit vjetor (28 miliardë), plus shifrën e pambledhur gjatë 6 mujorit të parë (4.5 miliardë euro), që e çon shumën në 33 miliardë euro.

Sfida është se me çfarë taksa të tjera, alternative ose plotësuese mund të arrijë qeveria të mbledhë të ardhurat e nevojshme. Vendimtare mbetet mundësia e shfrytëzimit të burimeve të tjera si të ardhurat nga privatizimi dhe shfrytëzimi i pronës publike. 

Gjermania është skeptike për zbatimin nga Greqia të masave të kërkuara 

Ministri gjerman i Financave ka shprehur dyshime për zbatimin nga Greqia te kushteve që lidhen me ndihmën financiare të shpëtimit. Wolfgang Schauble tha gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar se "kur Treshja, Komisioni Evropian, BQE dhe FMN të shkojë herën tjetër në Athinë, do të shohë se programi nuk zbatohet në Greqi". "Situata në Greqi është shumë e lodhshme dhe e rëndë", tha ministri gjerman. 

Në tone të ngjashme foli edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila edhe një herë mbrojti masat ekonomike të kërkuara për t'u zbatuar në Greqi, duke thënë se ato janë “të nevojshme" dhe se Greqia duhet të plotësojë detyrimet që ka ndaj Evropës. 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.