DRe, SYRIZA dhe PASOK, "luftë" të ashpër për Greqinë

Postuar në 15 Qershor, 2012 04:53

Lideri i SYRIZA, Aleksis Cipras, në tubimin qendror të partisë në sheshin Omonia ka sulmuar ashpër PASOK-un dhe Demokracinë e Re, të cilat sipas tij, u përpoqën të “mashtrojnë popullin grek, për të vjedhur votat me anë të frikës“. Cipras tha me optimizëm se «nga e hëna fillon një ndryshim i madh» dhe vuri në dukje se “edhe nëse ne jemi partia e parë me shumicën e votave, do të bashkëpunojmë, por jo në një qeveri proMemorandumit”. 

Cipras karakterizoi DRe-në dhe PASOK-un si “parti të Memorandumit, të falimentimit dhe të dhrahmisë“. Në të njëjtën kohë ka dërguar një mesazh për spekulatorët kudo në botë, që të hënën mos të venë bast paratë e tyre për daljen e Greqisë nga Eurozona, sepse do të humbasin».
 
Lideri i SYRIZA, Alexis Cipras ka vlerësuar se më 6 maj, populli me votën e tij solli rezultatet e para konkrete, për heqjen e memorandumeve të kursimit në Evropë dhe shtoi se Angela Merkel është e shqetësuar se ky ndryshim do të prekë edhe atë vetë. 

Duke përfunduar Cipras tha se partia e tij garanton sigurinë e qytetarëve, transparencën, meritokracinë dhe shtetin e së drejtës, burimet e nevojshme për shëndetin dhe depozitat e popullit grek, sepse do të shpëtojë vendin nga Memorandumi që solli kaq vuajtje për pensionistët, të varfërit dhe shtresën e mesme të popullsisë. 

Por Cipras është gjithashtu në shënjestër të dy partive DRe dhe PASOK. Lideri i konservatorëve Samaras e akuzoi atë se «luan me Greqinë». Samaras shtoi, se ato që premton SYRIZA janë përralla dhe paralajmëroi se në qoftë se Greqia del nga euro, atëherë fatkeqësia që do të ndodhë nuk mund të rregullohet. 

Ish kryeministri dhe ish lideri i PASOK Papandreu akuzoi kreun e së Majtës Radikale (SYRIZA) dhe atë të Demokracisë së Re (DRe), se përbëjnë dy anët e të njëjtës monedhë konservatore, pasi mendojnë se problemi i vendit «nuk ishte mjerimi i vitit 2009», por Memorandumi i vitit 2010. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.