Zgjedhjet greke fusin në ankth ekonomitë botërore

Autoritetet e ekonomive kryesore botërore po përgatiten për një rënie të mundshme, nëse në zgjedhjet e fundjavës në Greqi fitojnë të majtët radikalë që kanë vënë në dyshim të ardhmen e vendit ne eurozonë.
Zyrtarët nga G20 thanë se bankat qendrore janë të gatshme që të ndërmarrin hapa për të stabilizuar tregjet financiare, nëse do të jetë e nevojshme, duke ofruar likuiditete dhe duke penguar ndonjë shtrëngim kredish pas zgjedhjeve të së dielës.
Autoritetet europiane janë përgatitur në rast problemesh të mundshme që mund të lindin nëse grekët tërheqin paratë nga llogaritë e tyre bankare apo nëse partia SYRIZA, që ka premtuar se do të prishë marrëveshjen e shpëtimit me BE-në dhe FMN-në, do të dalë fituese në zgjedhjet e 17 qershorit.
Lideri i SYRIZA-s Alexis Tsipras tha se marrëveshja e Greqisë me liderët ndërkombëtarë nuk do të zgjasë pas fundjavës.
Radio Evropa e Lirë
Add new comment