Lezhë,protesta e tregtarëve në ditën e 4-të, tre gra përfundojnë në spital.

Gjatë protestës së tregtarëve të cilët prej 4 ditësh janë ngujuar në ambientet e tregut, tre gra kanë përfunduar në spital për shkaqe shëndetësore.
Janë 150 tregtarë të tregut të lirë në Lezhë, pjesa dërrmuese gra, që qëndrojnë prej 4 ditësh të izoluar në ambientet ku ata ushtrojnë aktivitetin e tyre, pasi protestojnë ndaj tarifës që tatimet kanë përcaktuar për regjistrimin e tyre si biznes.
Lodhja dhe problemet shëndetësore kanë krijuar problemet e para për këta tregtarë. Mbrëmjen e kaluar dy gra janë dërguar me urgjencë në spital pasi ju ka rënë të fiket siç shihet qartë edhe nga këto pamje. Ndërsa sot në mëngjes një tjetër grua është dërguar në spital me urgjencë për të marrë ndihmën mjekësore pasi ka humbur ndjenjat.
Për t’u ardhur në ndihmë atyre drejtoria e spitalit ka vendosur në dispozicion një autoambulancë, kjo si kërkesë e vetë protestuesve. Që prej fillimit të protestës e deri me tani 6 gra janë dërguar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit të Lezhës për shkak të komplikacioneve me shëndetin. Nuk lëvizin nga tregu pa gjetur një zgjidhje për problemin e tyre, ndërsa kërcënojnë se do t’i drejtohen grevës së urisë.
Tregtarët kanë lënë familjet për të kundërshtuar me këtë formë proteste pamundësinë e pagesës mesatare prej 100 mijë lekesh të reja si taksë vjetore dhe vlerën e sigurimit, pasi sipas këtyre tregtareve kjo është një shifër e lartë po të krahasohet me fitimin që realizojnë ata. Tregtarët e Lezhës deklarojnë se nuk ka kthim pas në këtë protestë e se shumë shpejt do t’u bashkohen familjet dhe fëmijët e tyre. Ndonëse vijojnë prej 4 ditësh protestën, ata nuk kanë gjetur ndonjë zgjidhje për problemin e tyre. Ndërkohë që sot pritet të takohen me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha.
Add new comment