Raporti te Llalla, policia po heton korrierët dhe jo bosët e drogës.

Një raport inspektimi i mbërritur kohët e fundit në tavolinën e kryeprokurorit Adriatik Llalla, i propozon këtij të fundit që të hetojë pasuritë e trafikantëve të “dhjamosur” dhe jo vetëm korrierët e drogës që kapet në kufi. Raporti është përpiluar nga specialistët e Drejtorisë së Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, i cili falë një kontrolli të ushtruar pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka nxjerrë disa rekomandime, që tashmë i janë propozuar numrit një të akuzës Adriatik Llalla.
Inspektorët kanë dalë në konkluzionin se nuk duhet të hetohen për pasurinë korrierët e drogës, por personat që organizojnë trafikun dhe shtyjnë ata kundrejt një shume të caktuar financiare, për të kaluar drogën në kufi. Një tjetër, rekomandim sipas burimeve është dhe për policinë, e cila që në momentin e arrestimit duhet të kryejë një verifikim mbi gjëdjen financiare të të arrestuarit dhe më pas të plotësojë realacionin nëse ka vend për hetim pasuror apo jo.
Sasitë e vogla
Inspektimi i kryer pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda kishte si qëllim vetëm veprën penale të hetimit pasuror. Në raport inspektorët kanë përmendur se janë me dhjetëra dosje ku janë nisur hetimet dhe se kanë qëndruar prej 2 vjetësh të hapura dhe pa kryer asnjë veprim hetimor. Në këto raste objekt të hetimeve kanë qënë personat që janë kapur në kufi me sasi të vogla droge.
Sipas raportit këta persona hyjnë në kategorinë e përdoruesve dhe se nuk mund të bëhen objekt të ligjit për hetimin pasuror. Në raport evidentohet se një pjesë e tyre është proceduar me këtë akuzë dhe në asnjë rast nuk është siguruar pasuri e paligjshme për tu sekuestruar dhe konfiskuar nga shteti. Ndërkohë që nënvizohet se hetimi i këtyre rasteve u merr kohë oficerëve dhe prokurorëve, duke i shkëputur nga dinamika hetimore më të rëndësishme.
Vendimi i Llallës
Momentalisht raporti i Drejtorisë së Inspektimit ndodhet në zyrën e kryeprokurorit Adriatik Llalla. Pas leximit të tij dhe konsultimit nga afër me inspektorët e kontrollit, pritet që në ditët në vijim Llalla të marra masa, duke ndryshuar rrjedhën e hetimit për rastet kur kapen individë të caktuar në kufi sasi të vogla droge dhe kur trafikantët janë korrierë droge dhe jo organizatorët. Ndërkohë që informacion pritet t’i dërgohet dhe ministrisë së Brendshme, për të autorizuar oficerët e antidrogës dhe hetimit pasuror të referojnë në prokurori rastet që kanë vërtet vend për t’u hetuar dhe jo përdoruesit e drogës dhe korrierët.
Add new comment