Gjirokastër, ndalohet furgoni me 500 kg drogë, arratiset shoferi

Një operacion antidrogë i policisë së Gjirokastrës, i koduar “Gërhoti”, ka bërë të mundur sekuestrimin e 500 kg marijuanë ditën e sotme të ngarkuara në një furgon si dhe shpalljen në kërkim të drejtuesit të tij.
Mësohet se, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një furgon që lëvizte në rrugën dytësore në zonën e Gërhotit dhe që transportonte një sasi të madhe lëndë narkotike, policia ka nisur aksionin për ndalimin e tij.
Sipas policisë gjatë ndjekjes së furgonit tip Benz me targa AA 359 HN, drejtuesi i tij ka braktisur mjetin dhe ka mundur të largohet në kodrat e Parkut të Viroit. Policia ka arritur të identifikojë transportuesin ndërsa vijon aksioni për kapjen e tij.
Ndërkaq brenda furgonit janë gjetur çanta të mbushura me pako të mëdha me marijuanë, pesha totale e të cilave është rreth 500 kg. Nga hetimet e para të policisë, bëhet e ditur se lënda narkotike është transportuar me krahë gjatë natës nëpërmjet kodrave nga Lazarati për në Gërhot ku dhe më pas droga është ngarkuar në furgon.
Add new comment