Abuzim me financat,në Prokurori dosja për Drejtorinë e Auditit.

Postuar në 15 Qershor, 2014 13:02

Ministria e Financave ka dërguar në Prokurori dosjen e Auditit për projektet e Bashkimit Europiane, pasi pas përfundimit të auditimit në Autoritetin e Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Europian (Drejtoria e Auditit për projektet e BE-së), janë konstatuar shkelje. Ndërkaq, është kallëzuar penalisht ish-drejtuesi i agjencisë, Pajtim Shehu.
 
Gjatë kontrollit të ushtruar në Drejtorinë e auditit për projektet e BE-së, janë konstatuar shkelje dhe parregullsi financiare, të paraqitura nga Titullari i Agjencisë, si dhe financierja e kontraktuar.
 
Por të pyetur lidhur me këtë ngjarje, tre punonjës mohojnë të kenë dije, të kenë marrë pjesë apo të kenë firmosur në ndonjë nga procedurat apo transaksionet financiare për të cilat kanë qenë ngarkuar. Këta vartës e kanë akuzuar me shkrim rastin, duke u shprehur se “nuk kanë dijeni, as kanë marrë pjesë dhe as kanë firmosur asnjë nga tenderat e kryera në 3 vite”.
 
Sipas njoftimit nga Ministria e Financave lidhur me kontrollin e ushtruar, rezulton se “Agjencia ka shkelur rregullat ligjore në fuqi në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrollit, prokurimit publik dhe kontabilitetit. Nuk ka mbajtur aktivitetet e magazinës, si rrjedhim asnjë mall i blerë nuk është gjendje, dhe as që mund të provohet dalja ose destinacioni i tyre. Agjencia ka vepruar në kushtet e mungesës së plotë të një sistemi të kontrollit të brendshëm të menaxhimit financiar”.
 
“Grupi i auditit ngarkon me përgjegjësi drejtuesin e agjencisë, Z.Pajtim Shehu për të gjitha shkeljet e evidentuara në tërësinë e këtij raporti, të urdhëruara, kontrolluara, miratuara, dhe firmosura prej tij në ushtrim njëherazi të të gjitha funksioneve të papajtueshme në fushën e menaxhimit financiar, si dhe për të gjitha rastet dhe shumat e konstatuara me dëm ekonomik për buxhetin e shtetit për faj të tij”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
 
Ndërkaq, dosja është dërguar për hetim të mëtejshëm në Prokurori, duke kallëzuar penalisht ish-drejtuesin e këtij institucioni të rëndësishëm.
 
Në përfundim, Grupi i auditimit ka dhënë 21 rekomandime për ndreqjen e parregullsive, zhdëmtimin e vlerave të përfituara/paguara padrejtësisht, si dhe për kallëzim penal të rasteve që përmbajnë elementë të veprave penale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.