Basha: Presioni detyroi pushtetarët të distancohen formalisht nga droga.

Ndërkohë që në Lazarat vijon aksioni për shkatërrimin dhe kapjen e anëtarëve të bandës së trafikut të drogës, në rrjetin social “Facebook” ka ardhur edhe reagimi i parë i kreut të PD, Lulzim Basha për luftën kundër drogës pas nisjes së operacionit.
Ndërsa reagimi i Bashës ka ardhur pak çaste pas vetëdorëzimit të Bate Mahmutajt, ai shpreh mirënjohje për qytetarët dhe organizatat që krijuan bashkë me të Aleancën Kombëtare Kundër Drogës.
Sipas tij demaskimi i avionëve të drogës, i narkotrafikut me pushtet politik dhe protestat qytetare shtuan presionin kombëtar dhe ndërkombëtar duke theksuar se “forca e opinionit publik dhe miqve perëndimore detyroi pushtetarët të distancohen formalisht nga droga.”
Basha duke bërë apel për të rritur vigjilencën më tej shkruan se tani është momenti për të shtuar presionin, për të larguar çdo narkotrafikanti nga zyrat e shtetit.
Statusi i plotë në “Facebook” i kreut të PD, Lulzim Basha
“Mirënjohje për të gjithë qytetarët dhe organizatat që krijuan bashkë me ne Aleancën Kombëtare Kundër Drogës.
Fryma dhe vlerat tona po fitojnë terren. Demaskimi i avionëve të drogës, i narkotrafikut me pushtet politik dhe protestat qytetare shtuan presionin kombëtar dhe ndërkombëtar. Forca jonë, forca e opinionit publik dhe miqve perëndimore detyroi pushtetarët të distancohen formalisht nga droga.
Por kujdes: fituam një beteje, lufta vazhdon. Fasadat dhe kurbanet nuk çrrenjosin të keqen.
Tani është momenti të shtojmë presionin, të rrisim vigjilencën. Tani është momenti i largimit të çdo narkotrafikanti nga zyrat e shtetit, çlirimi i vendit nga kthetrat e drogës dhe nga narkopolitika.”
Add new comment