Pajisja përgjuese 1.5 mln euro, ish kreu i SHIU-t pyetet në prokurori.

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak Ylli Zylaj është marrë në pyetje në prokurorinë e Tiranës, lidhur me çështjen e blerjes dhe përdorimit të paisjes sekrete “CDMA Interceptor”. Pyetja e Zylajt është bërë javën e kaluar ku u pyet rreth veprimeve që kishte ndërmarrë ish-drejtori i SHIU-t për blerjen e paisjes që ka një vlerë prej 1.5 milion euro.
Zylaj ka treguar se ka respektuar ligjet në fuqi dhe se e gjithë praktika është ndjekur nëpërmjet një procedure të fshehtë, për shkak se dhe blerja e saj ishte sekrete. Financimi i shumës prej 1.5 milion euro është bërë në një kompani izraelite me ndërmjetësimin e një kompanie shqiptare. Pritet që pas pyetjes së Ylli Zylaj, prokuroria e Tiranës do të pyesë dhe personat e tjerë të kallëzuar në këtë prokurori.
Kallëzimi i Ministrisë
Sipas kallëzimit të Ministrisë së Mbrojtjes, paisja është blerë në muajin mars 2011 me prokurim të drejtpërdrejtë tek një kompani izraelite, me ndërmjetësimin e një kompania shqiptare, e cila mban kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të SHIU-t, duke i shitur paisje të ndryshme përgjimi.
E gjithë praktika për blerjen e kësaj paisje përgjimi tepër të kushtueshme dhe që nuk i ka shërbyer në asnjë moment shtetit shqiptar, është kryer në fshehtësi të plotë dhe kostoja e saj është 1.589.400 euro plus 115.129 USD për mirëmbajtjen. Argument ka qënë kushti i NATO-s, për domosdoshmërinë e kësaj paisje, e cila do të përdorej nga forcat ushtarake shqiptare në Afganistan. E gjithë praktika, ka shmangur zyrën juridike të ministrisë si dhe Shtabin e Përgjithshëm të FA. Ndërkohë dhe zhdoganimi i kësaj paisje është bërë për një artikull tjetër, pra është bërë fiktivisht.
Shmangia e Shtabit
Gjatë kontrollit të auditit u konstatua se SHIU ka blerë paisjen operacionale përgjimi në vlerën prej 1.589.400 euro. Kjo blerje është konstatuar shkelje dhe paregullsi në procedurat e prokurimit, pasi në të gjitha procedurat për mallra e shërbime të klasifikuara për përdorim ushtarak, nuk ka kërkesë operacionale nga strukturat përgjegjëse, e për rrjedhojë është shmangur nga procesi i vlerësimit dhe vendimarja e Shtabit të Përgjithshëm i FA dhe Bordi i Modernizimit.
Një tjetër shkelje bën fjalë dhe për projekt urdhërin për procedurat e prokurimit që janë kryer drejtpësëdrejti nga ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pa kaluar për mendim në Drejtorinë Juridike dhe pa kaluar as nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm apo sekretari i përgjithshëm. Të gjitha këto sipas kallëzimit janë detyrime të përcaktuara në rregulloren e brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar me urdhër të vetë ish-ministrit.
Add new comment