Ruajta e provave të policisë, OKB dhuratë për uniformat blu.

Policia e Shtetit tani do të ketë mundësinë e ruajtjes së provave të sekuestruara gjatë aksioneve kundër trafiqeve të drogës.
Ditën e djeshme, kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe Koordinatorja Rezidente e OKB-së në Tiranë Zineb Touimi-Benjelloun, kanë nënshkruar aktin e dorëzimit të këtyre materialeve.
Gjatë fjalës së tij Didi shprehu falënderimet për të gjithë donatorët ndërkombëtar për këtë donacion me vlerë, që do të shërbejë për ruajtjen dhe
administrimin e drogave të kapura nga Policia e Shtetit.
Duke evidentuar projektet e zbatuara nga UNODC për Policinë e Shtetit, të cilat që nga viti 1998 kapin vlerën e 3.1 milion USD, Didi theksoi se këto projekte kanë synuar forcimin e kapaciteteve të policisë shqiptare në forcimin e kontrollit kufitar, me fokus të veçantë luftën kundër krimit të organizuar, kryesisht luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogave, si dhe në trafikun e qenieve njerëzore.
Ndërkohë, Koordinatorja Rezidente e OKB-së në Tiranë Znj. Zineb Touimi-Benjelloun, gjatë fjalës së saj, nënvizoi se Qeveria e Shqipërisë po tregon një dëshirë politike shumë të madhe për t’u përballur me trafikimin ilegal, duke u bërë pjesë e disa iniciativave ndërkombëtare
të zhvillimit strategjik për luftën ndaj trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.
Benjelloun solli në vëmendje se Shqipëria po përdor modelin e legjislacionit të vendeve më të zhvilluara evropiane dhe gjithashtu implementimin e një sërë mekanizmash legjislativ, të cilat janë aplikuar me rigorozitet.
Add new comment