Dajti i INUK: Çështja e sajuar për të balancuar arrestimin e Hoxhës.

Postuar në 21 Qershor, 2014 15:34

Kryeinspektori i INUK Zyhdi Dajti deklaron se ka zbatuar ligjin dhe se nuk ka asgjë për të fshehur. Në një deklaratë për mediat, Dajti thekson se është i vendosur për të çuar drejtësinë në vend. Duke e quajtur këtë një çështje të sajuar, kryeinspektori i INUK tha se kjo bëhet “për të balancuar politikisht arrestimin e një hajduti ordiner që mbledh paratë e ndërtimeve pa leje dhe i ndan me kunatin e famshëm që e njeh gjithë Tirana”.

Dajti thotë se shpreson që akuzat ndaj tij të mos jenë hakmarrje e atyre që humbën paratë e pista të investuara në kompleksin “Jon”.
 
“Beteja ime për të vendosur në vend drejtësinë dhe dinjitetin do të vazhdojë. Në të gjitha detyrat që kam patur, kam respektuar ligjin dhe vetëm ligjin, ndaj nuk kam asgjë për të fshehur dhe asgjë për t’u trembur.
 
Shpresoj që akuzat ndaj meje të mos jenë hakmarrja e atyre që humbën paratë e pista të investuara në “Jon” dhe duhet të ishin sot para gjyqit, në vendin tim!
 
Unë do ta fitoj këtë çështje të sajuar për të balancuar politikisht arrestimin e një hajduti ordiner që mbledh paratë e ndërtimeve pa leje dhe i ndan me kunatin e famshëm që e njeh gjithë Tirana.
 
Por i bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm që të çojë përpara përgjegjësisë shkelësit e mëdhenj të ligjit. Dosjen e “Jonit” e ka aty, të plotë dhe gati për gjykim. Të tjera dosje i ka aty dhe askush nuk ndihet. Ndërsa një dosje të madhe për çudirat e lejuara gjatë këtyre muajve në Tiranë do ta ketë aty së shpejti.
 
Shqiptarët mua më njohin si profesionist, në krye të një strukture që ka mbrojtur bregdetin dhe e ka çliruar atë nga zaptuesit dhe të korruptuarit. Gjithçka kam bërë, e kam bërë në emër të ligjit, duke respektuar ligjin, në të mirë të Shqipërisë”, thekson Zyhdi Dajti në deklaratën e tij.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.