Lazarat, Aliko: Boll prezencës së policisë, banorët janë në panik.

Gjatë një takimi të zgjeruar të zhvilluar në orët e drekës së të hënës, në godinën e Komunës Lazarat, përfaqësues të komunitetit vendas, kërkuan vendosjen e urave të komunikimit midis shtetit dhe banorëve. Pjesëmarrës në takim kanë qenë intelektualë, përfaqësues të pushtetit vendor, komunitetit dhe shoqatës Lazarati.
Sipas kryetarit të komunës Dasho Aliko, në qendër të takimit ishte situata e krijuar në komunën që drejtohet nga ai dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit të organeve shtetërore me komunitetin për zgjidhjen e saj.
Faktorët pjesëmarrës në takim kanë kërkuar bashkëpunimin e organizmave shtetërore me banorët për të rinisur normalisht jetën e përditshme në Lazarat. Sipas intelektualit, Roland Bejko, pjesëmarrës në takim, intelektualët e Lazaratit, brenda dhe jashtë tij janë të gatshëm të kontribuojnë për rikthimin e normalitetit në këtë zonë.
Edhe gjatë ditës së sotme Policia e Shtetit, ka vijuar operacionin në fshatin Lazarat ndërkohë që nuk janë regjistruar incidente përsa i përket sigurisë publike në territorin e komunës.
Add new comment