Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i parë më në thellësi

Transparency International ka publikuar sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, i cili është një matës sintetik i korrupsionit në sektorin publik për 183 vende të botës. Shqipëria renditet 10 vende më poshtë se në vitin 2008, kur arriti nivelin më të mirë të këtij indeksi. Në vitin 2011, indeksi i Shqipërisë zbriti në 3.1 nga 3.4 që ka qenë në 2008-ën. Për krahasim, Greqia e ka sot 3.4 nga 4.7 që e kishte në 2008-ën. Nivelin më të lartë e ka Zelanda e Re (9.5) e ndjekur nga Danimarka (9.4). Maksimumi matematik i indeksit është 10.
Llogaritja e indeksit për Shqipërinë është realizuar nëpërmjet shtatë burimeve të të dhënave: Fondacioni Bertelsmann, The Economist Intelligence Unit, Global Insight, Freedom House, International Country Risk Guide, World Economic Forum dhe World Justice Project.
I llogaritur si mesatare e vlerësimeve nga burime të ndryshme, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit ka një interval sigurie statistikore të nivelit 90% që varion për Shqipërinë në 2011-ën nga 2.8 në 3.4. Ndërsa në 2008-ën, ky interval ishte nga 3.1 në 3.7. Duke krahasuar këto dy intervale, mund të konkludohet se, me siguri statistikore 80%, indeksi është përkeqësuar në krahsim me 2008-ën.
E.Zaloshnja
Add new comment