Qeveria hije e PS-së, Rama Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm?

Duket se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i jep rëndësi të posaçme marrëdhënieve me jashtë dhe i sheh ato si kyçe për ardhjen në pushtet të formacionit që ai drejton në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013. Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë dhe sekretari që lidhet me të nuk kanë figuruar në listën e re të dalë nga zgjedhjet e fundit të Asamblesë së PS-së për strukturat e brendshme të kësaj partie që është njëkohësisht edhe njëfarë qeverie-hije. Nuk dihen arsyet e këtij vendimi, por ka zëra nga brenda që flasin për një dëshirë të Ramës për ta kontrolluar vetë fluksin e axhendën e marrëdhënieve me botën duke besuar se një PR i mirë me të huajt ndihmon shanset e PS-së për të ardhur në pushtet pas dy vjetësh. Nuk mungojnë gjithashtu hamendësimet se kjo ishte një mënyrë e butë për të shmangur Arta Daden që mbante më parë postin e Sekretares së Marrëdhënieve me Jashtë. Duke e shkrirë përkohësisht për ta ringritur më vonë këtë departament, Rama gjen kohë edhe për një kalim të butë të këtij posti në duart e dikujt tjetër, që ai tanimë mund ta ketë në mendje.
H.B.
Add new comment