Fillon TIFF – Tirana International Film Festival, nën kujdesin e veçantë të Zotit...

“Në një emision televiziv para disa kohësh bëra një deklaratë sa patetike dhe profetike: 'Ne do ta bëjmë Tiff-in dhe pa financim'. Këtë deklaratë dikush e mori si dëshirë timen. Ne vimë në këtë edicion pa financim”. Kështu u shpreh në fjalën e hapjes së TIFF - 'Tirana International Film Festival ' sot në mesditë një nga organizatorët e tij, Ilir Butka.
TIFF është ngjarja më e madhe kinematografike e vitit në Tiranë, tërësisht e injoruar nga strukturat e shtetit dhe Ministrisë së Kulturës. Megjithatë, organizatorët kanë vendosur të mos heqin dorë e të bëjnë një festival me buxhet '0'. Zero. Ata nuk duan që TIFF të pësojë fundin e Festivalit të Butrintit që vdiq në heshtje për mungesë mbështetjeje. Festivali i Butrintit ishte në edicionin 8, dhe iku pa zë, pa u ndjerë kush. “Kur pritet një pemë ka njerëz që ende kanë guxim të ngrenë zërin në këtë vend, po kur pritet një festival, askush nuk reagon”, thotë Butka.
Kontributet për ta mbajtur gjallë festivalin kanë qenë miqësore dhe 'në natyrë': dikush ka ofruar 4 dhoma hoteli për të ftuarit, dikush sallat e kinemasë pa pagesë, dikush ka pranuar të jetë anëtar jurie pa rrogë. Madje, juria e këtij viti, edhe pse me buxhet zero, ka joshur personalitete të mëdhenj, që nga Dhimitër Anagnosti tek Elvira Diamanti, nga Ettore Sequi tek Kujtim Çashku e Merita Baraliu.
Në edicionin e 9-të të TIFF garojnë 100 filma të përzgjedhur prej 500 të tillëve nga 63 vende të botës. Evenimente që nuk lenë asnjë gjurmë artistike thithin fonde pa fund, vetëm që të trumbetohet me të madhe “nën kujdesin e veçantë të Zotit Filan Fisteku”, ndërsa festivali më i madh i filmit në Shqipëri, lihet vetëm në kujdesin e Zotit.
K. Cukali
Add new comment