Inflacioni: pabuksi dhe mebuksi

Postuar në 08 Dhjetor, 2011 13:51

INSTAT-i publikoi dje indeksin e çmimeve të konsumit për muajin nëntor. Sipas INSTAT-it, niveli i rritjes së çmimeve të konsumit (njohur shkurt si niveli i inflacionit) ishte 2.9%, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Krahasimi me të njëjtin muaj të një viti më parë është i rëndësishëm, sepse karahasimi me muajin paraardhës (tetorin në këtë rast) bart edhe efekte sezonale.

Por si e llogarit INSTAT-i indeksin e çmimeve të konsumit? Në vitin 2007 zhvilloi një anketim të gjerë rreth buxheteve të familjeve shqiptare, duke llogaritur një shpërndarje mesatare të buxhetit familjar për mallra e shërbime të ndryshme, që njihen me emrin shporta e konsumit. Sipas llogaritjeve të INSTAT-it, një familje mesatare shqiptare konsumon vetëm 39% të buxhetit të saj për ushqime e pije jo-alkolike, dhe pjesën tjetër për mallra e shërbime si pije alkolike, restorante, hotele, veshje, mobilim, karburant, argëtim, kulturë, shëndetësi, arsim, etj. etj. Bazuar në këtë shpërndarje të buxhetit mesatar familjar, INSTAT-i llogarit çdo muaj se sa është rritja mesatare e çmimeve të shportës së konsumit.

Por mesatarja është një tregues pak mashtrues kur shpërndarja nuk është normale. Për ata që marrin vesh nga statistika, nuk është i nevojshëm një shpiegim më i zgjeruar, por për të tjerët, mund të shërbejë shembulli që vijon. Në qoftë se dikush ka një bukë dhe dikush s’ka asnjë, mesatarisht ata kanë nga gjysëm buke. Por pabuksi nuk mund ta mbushë barkun me mesataren, sepse në realitet bukën e ka ai tjetri...

Thënë ndryshe, një familje mesatare shqiptare vërtet mund të shpenzojë vetëm 39% të buxhetit të saj  për ushqime e pije jo-alkolike, por në këtë mesatare futen si familje që shpenzojnë 90% të buxhetit vetëm për ushqime, edhe të tjera që shpenzojnë 90% të buxhetit për veshje firmato, hotele e restorante luksoze, operacione plastike, e të tjera si këto. Në qoftë se për të llogaritur mesataren përjashtojmë 10% të familjeve më të pasura (pra në qoftë se i afrohemi shpërndarjes normale), rezulton se 50% e buxhetit familjar harxhohet për ushqim e pije jo-alkolike, ndërkohë që ka një reduktim të ndjeshëm të përqindjes së mallrave dhe shërbimeve të luksit. Bazuar në këtë shpërndarje, i bie që inflacioni për nëntorin e 2011, krahsuar me një vit më parë, të ketë qenë 3.9% e jo 2.9%.

E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.