Rama: Berisha e ka lexuar Kurbanin; Meta jo.

Edi Rama ka qenë në Sarandë për të promovuar librin e tij Kurban, e për të marrë kontakt me lexues-militantë. Ai po e shfrytëzon librin, në fakt, si një sebep për një tur nëpër Shqipëri. Një tur të tillë ai mund ta bënte në çdo kohë edhe pa këtë sebep, por pa librin turi do ngjante monoton.
Ai u pyet mbi prononcimet lidhur me librin, që janë bërë nga Berisha e Meta, por nuk u ndal shumë për të komentuar komentet e tyre. Duket se për secilin ka patur një batutë të përgatitur qysh në Tiranë, ose rrugës për Tiranë. “Berisha është nga të parët që e ka lexuar librin, por është për të ardhur keq, që nuk e pranon këtë gjë”, tha Rama, sipas Top-channel-it. E nuk është çudi të ketë të drejtë. Ndërsa për Metën tha se duhet besuar. “Nëse thotë se nuk e ka lexuar, do të thotë se nuk e ka lexuar. Ai nuk gënjen në këtë rast. Ai nuk lexon”, citohet të ketë thënë Rama, sipas Temës.
Është një frazë ironike, dhe aq. Nuk besohet se Rama beson që Meta s’e ka lexuar librin’ Të paktën, pjesët që kanë të bëjnë me të, i ka lexuar, me siguri. Por të bën përshtypje gatishmëria e Berishës dhe e Metës për të thënë se “nuk e kanë lexuar librin”, kur pyeten lidhur me këtë argument. Ka qenë dhe një duzinë njerëzish të tjerë që kanë thënë publikisht të njëjtën gjë, ndonëse janë personazhe të librit. Nuk duket një gjest me kuptim qoftë në rastin që gënjejnë, qoftë në rastin që s’gënjejnë.
E.G.
Add new comment