Presidentja e Kosovës me diplomë false

Gazeta ‘Zëri’ e Kosovës shkruan se Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, por dhe drejtues të tjerë të Policisë së Kosovës, zotërojnë diploma të rrejshme. Sipas të njëjtit burim, zyrtarët kosovarë mund të krenohen se kanë master dhe specializime për kriminalistikë nga Universiteti i Sarajevës, mund të jenë ngritur në karrierë falë këtij shkollimi, por këto rrjedhin nga diploma të pavlera dhe të jashtëligjshme. Zëri bazohet në një Auditim dhe Inspektim të brendshëm të Policisë së Kosovës, kryer në vitin 2009. Gazeta shkruan se kryetarja e shtetit të Kosovës dhe të tjerë që kanë fituar pozita të ndryshme në Policinë e Kosovës a tjetërkund falë këtyre diplomave ilegale kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me mijëra euro. Universiteti i Sarajevës ku janë diplomuar Jahjaga me të tjerë nuk është akredituar siç e kërkon legjislacioni kosovar, vazhdon i njëjti burim. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ku bënte pjesë edhe Jahjaga kanë ndjekur dy trajnime sipas një marrëveshjeje të lidhur ndërmjet Policisë së Kosovës (atëherë SHPK) në vitin 2006 me Institutin për Kriminologji dhe Studime të Sigurisë të Fakultetit të Shkencave të Kriminalistikës të Universitetit të Sarajevës, por ky institucion ka qenë i palicensuar. Ligji i vjetër për Arsimin e Lartë në Kosovë detyronte çdo institucion të arsimit të lartë të paisej me licencë, e cila lëshohet nga Ministria e Arsimit, përfundon raportimin e saj e përditshmja.
H.B.
Add new comment