Emigrantët në Itali: Mbi gjysmë milioni shqiptarë, të tretët pas rumunëve e marokenëve

568 mijë shqiptarë jetojnë në Itali, sipas raportit Kombëtar XVII për Migracionin 2011, i përgatitur nga Fondacioni ISMU (Iniciativat dhe Studimet mbi Multi-Etnicitetin). 483 mijë janë rezidentë me “letra” të rregullta në shtetin fqinjë.
Sipas raportit shqiptarët janë kategoria e tretë e emigrantëve në Itali, me rumunët në vendin e parë dhe marokenët në të dytin. Sipas të dhënave, rumunët e emigruar në Itali janë mbi 1 milion (969mijë me qendrim të ligjshëm aty), ndjekur nga 575 mijë marokenë (nga të cilët 452 mijë me letra të rregullta).
Dalja e raportit koincidoi me një vrasje raciste në Firence, ku një person vrau 2 senegalezë e plagosi një tjetër në një shesh. Vrasësi, u zhvendos në një tjetër shesh, ku tentoi të vriste të tjerë shitës ambulantë senegalezë, para se t’ia drejtonte armën vetes. Protestat e etnisë senegaleze në Firence shpërthyen me thirrjet "Maledetti italiani!”, çka tregon se 5.400.000 emigrantët që ka ky vend (sipas ISMU) dhe 50 milionë italianët e tjerë, kanë akoma shumë rrugë përpara para se ta konsiderojnë njeri-tjetrin “fratelli d’Italia”.
N.S.
Add new comment