Kumbaro u ndihmua të arratisej nga zytarë të lartë të shtetit

Djali i biznesmenit Remzi Hoxha, i vrarë në vitin 1995, akuzon Gjykatën e Lartë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë se e kanë ndihmuar ish oficerin e shërbimit sekret për t’i shpëtuar burgut në Britani. Ilir Kumbaro, ish oficeri i Shërbimit Sekret, SHIK, akuzohet për torturimin dhe zhdukjen e shtetasit shqiptaro maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995. Në një prononcim për agjencinë rajonale të lajmeve “BalkanInsight”, djali i biznesmenit, Ardian Hoxha thotë se Gjykata e Lartë dhe zyrtarët e qeverisë shqiptare kanë ndihmuar Kumbaron që t’i shpëtojë drejtësisë duke vonuar procedurat e ekstradimit. “Gjykata e Lartë e Shqipërisë vonoi lëshimin e urdhrit të ekstradimit për më shumë se një muaj duke bllokuar procedurat në Britani çka e ndihmoi atë të arratisej”, thotë Hoxha, sipas të cilit një grup kriminal në krye të shtetit shqiptar është përpjekur të bllokojë procesin e ekstradimit të Kumbaros. Sëbashku me Kumbaron, prokurorët shqiptarë akuzojnë Arben Sefgjinin, ish kreun e Tatim-Taksave, i cili më parë ka shërbyer edhe si kreu i zyrës së SHIK-ut në Tiranë, për torturimin dhe vrasjen e Remzi Hoxhës.
Zëdhënësja e Gjykatës së Lartë në Shqipëri, mohon që arratisja e Kumbaros të ketë ndonjë lidhje me vonesat e procedurave të ekstradimit. “Ky nuk është një vendim i thjeshtë, por një vendim që është marrë në bashkëpunim nga kolegjet e Gjykatës së Lartë dhe argumentet nuk lidhen vetëm me rastin e Kumbaros”.
Sidoqoftë, fakt është se Kumbaro tani i është arratisur dhe për momentin nuk ka të dhëna për të.
A.K
Add new comment