Manjani: LSI-ja mund të futet e vetme në zgjedhje

Në një emision të mbrëmshëm të UTV-së, Ylli Manjani, Sekretari i Çështjeve Zgjedhore të LSI-së, tha se nuk është e thënë që LSI-ja të futet në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me një nga dy partitë e mëdha. Këtë e tha në përgjigje të pyetjes nëse LSI-ja do të garojë si pjesë e koalicionit aktual qeverisës në zgjedhjet e 2013-ës. Më parë, ai ishte ankuar se partive të vogla u është lënë vetëm 5 ditë kohë për të paraqitur propozime për amendamente në kodin zgjedhor. Gjithashtu, ai u ankua fort në emision për kokëfortësinë e dy partive të mëdha për të mos pranuar diskutimin në lidhje me korrektimin kombëtar të sistemit rajonal zgjedhor.
Me sistemin aktual rajonal, LSI-ja ka gjasa të fitojë mandate parlamentarë vetëm në 5-6 qarqe, ndërkohë që votat në qarqet e tjera do t’i shkojnë praktikisht dëm. Ndërsa me një korrektim kombëtar të sistemit rajonal, LSI-ja ka gjasa të marrë 10-11 mandate. Për më tepër, në këtë rastin e dytë, numri i mandateve të saj nuk do të ndryshonte nëse ajo do të futej e vetme në garë, dhe jo në koalicion me njërën nga partitë e mëdha.
E.Zaloshnja
Add new comment