Një lapsus i Saviano-s dhe twitter-i si lojë e madhe

Roberto Saviano, që ka afro 80 mijë ndjekës në twitter, ka provokuar ca bujë me një gabim ortografik në një mesazh të vetin. Standardi i ligjërimit publik gjetkë e ka stekën lart, dhe nuk të falin dhe gjëra, për të cilat këtej nga anët tona jo vetëm s’bëhet nami, por edhe s’e vënë ujin fare në zjarr. Një gabim ortografik në twitter? E pastaj? Je në terezí ti, apo jo?
Por në fakt, edhe në Itali ka të tjerë që nuk i japin peshë kësaj ngjarjeje, si për të theksuar se gabime të tilla e humanizojnë hëm botën e mesazheve twitter, hëm ca personazhe që janë divinizuar ca si shumë. Beppe Severgnini (ju kujtohet? E ka pasur Rudina Xhunga në një nga emisionet e veta) thotë në një shkrim të vetin, se i ka pëlqyer mesazhi twitter i Saviano-s, dhe jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për atë apostrof të tepërt, që atij i ka shpëtuar në mesazhin “Khadz Kamalov, un giornalista coraggioso, è stato ucciso. 70 giornalisti russi uccisi in Russia. Qual'è il peso specifico della libertà di parola?”. Nga një përkthim në shqip i mesazhit nuk kuptohet gabimi (është një apostrof që s’duhet në pjesën ‘Qual'è’), por mesazhin po e përkthejmë për të shuar kureshtjen e lexuesve që s’dinë italisht: “Është vrarë gazetari i guximshëm Khadz Kamalov. Janë 70 gazetarët e vrarë në Rusi. Ç’peshë specifike ka liria e fjalës?”
Re.Pu.
Add new comment