Paradoks: Popullsia tkurret, ekonomia rritet…

Postuar në 22 Dhjetor, 2011 13:14

INSTAT-i publikoi më së fundi rezultatet paraprake të Censusit 2011, të cilat tregojnë se popullsia e Shqipërisë është 2,831,741 banorë. Numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3,069,275. Pra, sipas INSTAT-it, numri i popullsisë është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Ndërkohë, po sipas INSTAT-it, ekonomia shqiptare është rritur 55% gjatë së njëjtës periudhë. Një paradoks i tillë në Europë vihet re vetëm në Rusi, ku popullsia pakësohet, ndërsa Produkti i Përgjithshëm Bruto (PBB) rritet. Dhe në rastin e Rusisë, shpiegimi është i thjeshtë – motori kryesor i rritjes së PBB-së ka qenë nafta dhe gazi. Po në rastin e Shqipërisë, si shpiegohet kjo mospërputhje mes trendit të popullsisë dhe rritjes ekonomike?

Përgjigja mund të gjendet tek të dhënat e INSTAt-it rreth banesave. Gjatë dekadës së fundit, sipas Censusit, numri i banesave është rritur me 37%. Kjo rritje përputhet me faktin që treçereku i rritjes ekonomike në dekadën e fundit ka ardhur nga sektori i ndërtimit. Por problemi është se rritja prej 37% e numrit të banesave është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të banesave ku nuk banon njeri. Kështu, sipas Censusit 2011, plot 33% e banesave janë të pabanuara.

Duke e përmbledhur me pak fjalë historinë që na tregojnë këta numra, i bie që rritja ekonomike në Shqipëri të ketë ardhur kryesisht nga ndërtimi i banesave që aktualisht janë të pabanuara. Të cilat nuk gjenerojnë të ardhura, që mund të përdoren si karburant për një rritje ekonomike të mëtejshme.

E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.