Arkiv-Lajme
H. Kadare, Rama, Blushi, Fevziu: Dhe jehona nuk ka të sosur
Edhe kjo ditë nuk kaloi pa një koment mbi librat që dominuan atmosferën e Panairit të Librit, që u mbajt para disa javëve. Pandeli Majko flet në Shqip për librin e kryetarit të PS-së, që sipas tij ka një titull depresiv (s’e ka keq). Majko ende s’e la lexuar të tërin librin (Çudi! Duket sikur po lexon Kapitalin e Marksit), dhe në komentin e tij fokusohet në mënyrë të veçantë tek një personazh i librit, sidomos në qëndrimin që ky personazh ka mbajtur kur u publikuan fotot nudo të Edi Ramës. Ky personazh quhet … Pandeli Majko.
Berisha apo Kashei i pavdekshëm
Kryeministri e ka hapur mbledhjen sotme të qeverisë me një sqarim në lidhje me ngjarjen e datës 12 dhjetor, kur gjatë ceremonisë së 21-vjetorit të themelimit të PD-së ai pati një përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore, çka e detyroi të ndërpriste fjalën e tij dhe të dërgohej në spital nga truprojat.
Sipas Berishës, gjithçka ka qenë në kuadrin e një viroze, e cila mund të krijojë episode të tilla në organizmat që reagojnë fuqishëm.
Berisha shkel ligjin me 8 miliardë lekë
Berisha ka firmosur ditët e fundit një akt normativ që cakton vlerën prej 84.7 miliardë lekësh si kufi të sipërm për shtesën gjatë këtij viti të borxhit publik. Por sipas Ministrisë së Financave borxhi i akumuluar në fillim të vitit ishte 715.3 miliardë lekë. Pra, i bie që në fund të vitit, borxhi i akumuluar të arrijë vlerën 800 miliardë lekë. Mirëpo sipas ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor (Neni 58 i Ligjit Nr.9936, datë 26.6.2008), borxhi i akumuluar publik nuk duhet të kalojë vlerën 792 miliardë lekë.
Emigrantët në Itali: Mbi gjysmë milioni shqiptarë, të tretët pas rumunëve e marokenëve
568 mijë shqiptarë jetojnë në Itali, sipas raportit Kombëtar XVII për Migracionin 2011, i përgatitur nga Fondacioni ISMU (Iniciativat dhe Studimet mbi Multi-Etnicitetin). 483 mijë janë rezidentë me “letra” të rregullta në shtetin fqinjë.
Sipas raportit shqiptarët janë kategoria e tretë e emigrantëve në Itali, me rumunët në vendin e parë dhe marokenët në të dytin. Sipas të dhënave, rumunët e emigruar në Itali janë mbi 1 milion (969mijë me qendrim të ligjshëm aty), ndjekur nga 575 mijë marokenë (nga të cilët 452 mijë me letra të rregullta).
Messi mposhtet! Është Rexhep Tahip Erdogan njeriu i vitit i revistës TIME!
Revista Time, e përjavëshmja më e famshme në botë me një audiencë prej 25 milionë lexuesish, ka zgjedhur Kryeministrin turk Rexhep Tahip Erdogan si njeriun e vitit 2011. Erdogan është njeriu që po forcon pozitat e një demokracie islame dhe që e ka ngritur Turqinë si ekonomia e dytë me rritjen më të shpejtë në botë. Ai nuk është arab vetë, por vlerësohet shumë mes botës arabe, sipas një sondazhi të universitetit të Merilendit. Vizitat e tij diplomatike në botë mbledhin turma fansash që do të bënin xheloz edhe një rokstar.
Nafta që çante bllokadën ....
Për herë të parë në historinë e shtetit Shqiptar, privatizohet 100% e aseteve që kanë të bëjnë me zonën më të pasur me naftë në Shqipëri. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, miratoi sot pasdite vetëm me votat e shumicës parlamentare privatizimin e kompanisë “Albpetrol”. Sipas argumenteve të opozitës në pakicë kompania nuk duhej të privatizohej; një zgjidhje më e përshtatshme është dhënia me koncesion e kompanisë deri më sot shtetërore.
Cili do të jetë Avokati i Popullit?
Gara e aplikimeve për postin e Avokatit të Popullit ka tërhequr vëmendjen e media-s, ngaqë është një praktikë e panjohur; është efekti ndjellës që ka një risí. Në procedurën e përzgjedhjes nuk është se ka të reja çdo ditë (s’ka si të ketë e s’ka ç’të ketë), por mediat gjejnë ndonjë gjë për ta dhënë si lajm. Dhe në fakt, e kanë ndjekur hap pas hapi këtë konkurs herë me synimin për të informuar, e herë me synimin për t’i gjetur ndonjë cen kësaj që po ndodh.
Zoti 'fsheh' llogaritë në Zvicër
Megjithëse nuk ka asnjë llogari për të fshehur, Zoti në mënyrë enigmatike shfaqet në Zvicër, përgjatë eksperimenteve Atlas e CMS, që kishin detyrën për të zbuluar praninë e Bosonit të Higgs-it. Rëndësia e Bosonit të Higgs-it është ekstremisht e rëndësishme për të kuptuar Universin ku jetojmë. Besoj ju kujtohet legjenda se në Zvicër, nga përplasjet e protoneve në brendësi të aparaturave të krijuara enkas, do të krijohej një vrimë e zezë që do të gëlltiste në fillim Zvicrën e më pas të gjithë planetin. Kjo nuk ndodhi, siç dhe mund të perceptohet lehtësisht.
Djali i Remzi Hoxhës: Berisha ka takuar Millosheviçin, e Gazidede ka takuar Arkanin
Ardian Hoxha, djali i biznesmenit kosovar Remzi Hoxha, i zhdukur në rrethana që implikojnë regjimin e parë ‘Berisha’ (1992-1997), ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve AMA, në të cilën jep versionin e vet të ngjarjes tragjike. Sipas tij, babai i tij u ka mbetur në dorë gjatë torturave njerëzve të Gazidedes, ndërsa për këtë të fundit hamendëson se “i është shpejtuar vdekja”.
Sheshi Skënderbej, një videogame me makina
Kur u njoftua që sheshi Skënderbej do të hapej për festa, të gjithë u gëzuan. Sheshi do t’u kthehej njerëzve. Tani që sheshi është hapur dhe makinat e kanë më të lehtë të kalojnë nga rruga e Durrësit tek 9-katëshet, po duket më qartë se çfarë kemi fituar.
Pamja e sotme në shesh është ajo e makinave që rrotullohen me shpejtësi, dhe e njerëzve që vrapojnë si lepuj në vijat e bardha që të mos shtypen. Vetëm 2 gjëra rrinë pa lëvizur, një bredh Krishtlindjeje në mes dhe një polic që kruan veshin me tabelë aty pranë.