Arkiv-Lajme të përditësuara
Bursat europiane “në pikiatë”
Bursat europiane u hapën me humbje të rëndësishme ditën e premte, si rrjedhojë e shqetësimeve rreth mungesës së stabilitetit të industrisë bankare në Greqi dhe në Spanjë.
Në Madrid, bursa u hap me një rënie prej më shumë se 2%, ndërsa Londra dhe Frankfurti nisën kuotimet e tyre me 1% më pak në vlerë.
Frika e përshkallëzimit të krizës në Eurozonë ka pasur një impakt edhe në tregjet ndërkombëtare, pasi në Azi, bursa e Tokios, “Nikkei”, nisi ditën me humbjen më të madhe në një ditë të vetme që prej gushtit 2011, me 3%.
Francë, presidenti e ministrat zvogëlojnë pagat me 30%
Presidenti i ri francez, Fransua Hollande dhe ministrat e tij socialistë, miratuan sot vendimin për zvogëlimin e pagave të tyre me 30%.
Pas përfundimit të takimit të parë të qeverisë së re franceze, ministrat bënë të ditur se qeveria e filloi punën me miratimin e uljes së pagave dhe me nënshkrimin e aktit etik për të shpenzuar më pak para në udhëtime dhe në ministritë e tyre.
Gjatë fushatës, presidenti Fransua Hollande kishte premtuar uljen e pagave, duke thënë se kjo do të bëhej për të “treguar shembull”.
BE: Rritje dhe disiplinë ekonomike
Zgjedhja e Francois Hollande në krye të Francës dhe programi i tij për daljen e Europës nga kriza financiare nëpërmjet rritjes ekonomike, sigurisht që nuk do të lërë pa prekur disa nga politikat e mëparëshme të ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy.
Në këtë kuadër, liderët e BE-së, duke i paraprirë G8 në Camp David në Shtetet e Bashkuara, kanë shtuar kontaktet me njëri-tjetrin për t’u njohur edhe njëherë me qendrimet e tyre për kapërcimin e krizës financiare.
"The Guardian" për shqiptarët
Gazeta prestigjioze londineze "The Guardian" në shkrimin për Javën e Shekspirit, mbajtur në Londër, tregohet e pamëshirshme me të tri trupat ballkanike, atë serbe, atë shqiptare dhe atë maqedonase.
Kriza ekonomike në Evropë e ushqimi në Afrikë, temat kryesore të takimit të G8
Kriza evropiane e borxheve dhe efektet e saj të mundshme në ekonominë botërore, do të jenë në qendër të takimit të udhëheqësve të G8-tës në takimin që do të zhvillohet në pikën presidenciale të pushimit Camp David, në afërsi të Uashingtonit.Presidenti i ri francez Francois Hollande do të marrë pjesë në takim si dhe do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë.
I vetmi udhëheqës që do të mungojë në takim do të jetë presidenti rus Vladimir Putin, por në vend të tij për të përfaqësuar Rusinë do të jetë kryeministri dhe ish-presidenti Dmitry Medvedev.
Cameron: Eurozona rrezikon shpërbërjen
Kryeministri britanik, David Cameron, ka paralajmëruar udhëheqësit e Eurozonës të zgjidhin problemet me borxhet, përndryshe rrezikojnë shpërbërjen e këtij blloku si pasojë e krizës në Greqi.
Këto vlerësohet të jenë komentet më pesimiste të kryeministrit britanik në lidhje me situatën në Eurozonë, të cilat do të zemërojnë udhëheqësit evropianë, të irrituar që më parë me vendimin e vitit të kaluar të Britanisë për të refuzuar miratimin e paktit të ri fiskal të Bashkimit Evropian.
Turqia, së shpejti mes 10 ekonomive të botës
Turqia, një fuqi rajonale në zhvillim, do të hyjë në vitet e ardhshme në radhët e dhjetë ekonomive më të fuqishme të botës.
Parashikimi është bërë nga ambasadori amerikan në Ankara, Francis Ricciardone, sipas të cilit vendi i madh i lindjes së Mesdheut po udhëton me një ritëm rritjeje prej 8.5 për qind.
Që tani, Turqia është ekonomia botërore e 16-të dhe synon të bëhet e teta brenda vitit 2023, kur dhe do të festojë 100 vitet e republikës laike të themeluar nga Mustafa Qemal Ataturk.
Greqi, betohen 16 ministrat e qeverisë së Pikramenos
Greqia ka tashmë një qeveri të përkohshme deri ne 17 Qershor.
Kryeministri Panajotis Pikramenos njoftoi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, përbërjen e qeverisë së tij, e cila do të çojë vendin në zgjedhje.
Ajo përbëhet nga 16 ministra, (pa zëvendësa), të cilët janë kryesisht profesorë universiteti, ish-ministra dhe diplomatë.
Betimi i qeverisë së re u bë paradite në Presidencë. Më pas u zhvillua ceremonia e betimit të deputetëve në parlamentin e 6 Majit, i cili do të shpërndahet përsëri nesër, për t'i lënë vendin fushatës zgjedhore.
Të majtët grekë: Merkel luan poker me fatet tona
Lideri i së majtës radikale në Greqi, Alexis Tsipras, akuzoi Bashkimin Europian dhe Kancelaren Angela Merkel se janë duke luajtur poker me jetën e të gjithë europianëve, duke këmbëngulur në masat shtrënguese të kursimit.
Partia “Syriza” e Tsipras pritet të dalë fituese nga zgjedhjet e 17 qershorit, te shpallura te merkuren nga presidenti Karolos Papulias.
Parada gay, Sequi: BE dënon diskriminimin e politikanëve
Vetëm një ditë para aktivitetit që pritet të mbahet nesër në Tiranë, në Ditën Botërore Kundër Homofobisë kreu i prezencës së Bashkimit Europian në vendin tonë Ettore Sequi ka shprehur qëndrimin e tij në mbrojtje të respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
“Do të doja të rikujtoj se qëndrimi im lidhur me çështjen e të drejtave të lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe personave transeksualë (LGBT) mbetet i palëkundshëm dhe po ai që kam shpehur me të gjithë Ambasadorët e Bashkimit Evropian në Shqipëri në një deklaratë të mëparshme më 27 mars.”,- shprehet Sequi.