Arkiv-Lajme të përditësuara
Elbasan, protestojnë sërish banorët
Banorët e Komunës së Bradasheshit në Elbasan sërish janë hedhur në protestë për çeshtjen e vlerësimit të tokës në të cilën kalon autostrada Elbasan-Tiranë.
Rio De Janeiro, gara e paqes në favela
Oficerët e policisë dhe personazhe të famshëm i janë bashkuar rreth 1500 personave në qytetin e Rio De Janeiros në një garë për të festuar paqen.
“Gara e Paqes” përshkoi rrugën e përdorur nga trafikantët e drogës për tu arratisur nga favela Alemano, ku policët shkuan atje në nëntor të vitit 2010. Edhe ish-pjesëtarë të bandave të drogës morën pjesë në këtë garë 5 kilometërshe në rrugët e lagjeve të varfra.
Për shumë dekada Alemano ka qenë tabu për policinë dhe dhuna e skajshme ishte mbizotëruese në këtë zonë.
Irani do ndërtojë një tjetër central bërthamor
Irani do të nisë punën për ndërtimin e centralit të dytë nuklear. Sipas kreut të Organizatës së Energjisë Atomike të vendit, Fereydoun Abbassi Davani, puna prë ndërtimin e një impianti 1 mijë megavat do të nisë vitin që vjen e do të përfundojë marsin e 2014-ës.
Ai tha se centrali do të ndërtohet në një objekt ekzistues bërthamor në qytetin Jugor të Bushehrit, i cili zyrtarisht u hap shtatorin e vitit të shkuar. Ndërtimi në centralin e parë nuklear në vend nisi në vitin 1978, por përkohësisht puna në të u ndal si pasojë e Revolucionit Islamik.
Lagarde acaron grekët
Komentet e ashpra të Christine Lagarde dhe pretendimet e saj se grekët duhet të paguajnë taksat që i shmangin prej kohësh, kanë shkaktuar zemërimin e partive politike në Greqi.
Lideri socialist Evangjelos Venizelos e akuzoi shefen e FMN-së “për ofendim të popullit grek”. Kreu i së majtës radikale Aleksis Tsipras insistoi të tregonte se punëtorët grekë vazhdojnë t’i shlyejnë detyrimet e tyre edhe pse janë të papërballueshme.
“Nëse kërkon njerëz që i shmangen taksave, le t’i drejtohet Pasok-ut dhe Nea Demokracias”, tha Tsipras.
Sondazhet në Greqi
Katër sondazhe të reja që publikohen në shtypin e së dielës u japin vendin e parë konservatorëve grekë. Demokracia e Re kryeson tashmë nga 0.5 deri në 5.5% ndaj Radikalëve të Majtë të bllokut SYRIZA dhe mund të krijojë një qeveri koalicioni së bashku me socialistët pasi mund të përqëndrojnë më shumë se 160 nga 300 vendet e parlamentit duke vazhduar reformat e përcaktuara nga marrëveshja e huasë me BE-në dhe FMN-në e duke siguruar ekzistencën e Greqisë në Eurozonë.
Elbasan, bllokohet tregu i romëve. Policia: Do t'i zhvendosim
Policia Bashkiake e Elbasanit prej tre ditësh ka bllokuar tregun e romëve duke kërkuar transferimin e tyre në një vend tjetër. Mësohet se tregu i ri nuk është më shumë se 200 metra larg tregut aktual.
Mbyllja e tij është kundërshtuar ashpër nga romët, pasi këta të fundit pretendojnë se tregu i ri ka qera shumëfish më të lartë, të cilën nuk mund ta përballojnë. Gjithashtu këta të fundit thonë që janë në rregull me pagimin e të gjitha taksave duke kërkuar që bashkia të rishikojë edhe një herë vendimin e marrë.
BE: Serbia të heqë strukturat paralele
Titujt e shtypit të sotëm në Beograd flasin për kushtet që Brukseli, duke cituar zyrtare të lartë të Qeverisë, do të vendosë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian. Gazeta Press citon ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremic, i cili thuhet se është takuar me drejtorin për Europën në BE, Mirosllav Lajcak.
Marok, protesta, mijëra në shesh
Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët dhe sheshet e Kazablankës në Marok, për të protestuar kundër qeverisë në lidhje me përmirësimin e situatës sociale.
Këto janë demonstratat më masive kundër qeverisë të formuar në janar nga Abdelilah Benkirane pas zgjedhjeve të nëntorit, në të cilat partia e moderuar islamike e udhëhequr nga vetë ai fitoi me një verdikt masiv dhe të qartë.
Manifestimi është nisur me iniciativën e Konfederatës Demokratike të Punës dhe Federatës Demokratike të Punës.
Francë, bankat përgatiten për daljen e Greqisë nga euro
Bankat franceze, të cilat janë ndër huadhënësit më të ekspozuar ndaj borxhit grek, kanë rritur përpjekjet e tyre për skenaret e paparashikuara të një daljeje të mundshme të Greqisë nga euro. Lajmin e konfirmojnë burime në dijeni të planeve të tilla të cilat në kushte anonimiteti konfirmojnë se janë rritur përgatitjet nga bankat, përfshirë këtu Credit Agricole, BNP Paribas dhe Societe Generale.
Grevë e hotelierëve, protestë në Akropol
Në prag të zgjedhjeve të reja, ndërsa sezoni turistik sapo ka filluar, punonjësit e hoteleve organizuan një grevë 24-orëshe për të protestuar kundër reformave në tregun e punës. Protestuesit marshuan përmes rrugës turistike që të çon deri në zonën arkeologjike të Akropolit duke lënë pas turistët ende të përgjumur e që kësaj here duhet të çanin përmes mijëra demonstruesve për të parë monumentet antike.