Prej "lirisë së tregut" te "e drejta e banimit"

Dimri i mbushi shqiptarët me gëzim, prej festave të nëntorit e deri tek ato të dhjetorit. Po njëkohësisht me gëzimin erdh’ edhe i ftohti dhe terri i zakonshëm i dimrit, që zbutet aq shumë në gjirin e familjes së fortë, asaj strehëzës që pret me ngrohtësi edhe zëmëdhenjtë snobë e rebelë që thërrasin gjithë ditën për emancipim e pavarësi individuale, që prej katedrave të shoqërisë civile (sado luftëtarë të emancipimit që të jenë, e kanë vështirë të shkëputen nga gjiri i ëmbël i familjes patriarkale, ku kthehen menjëherë pas pune, apo pas kafes). Po nejse, tema jonë nuk do të nisë me shoqërinë civile a snobët, por me të ftohtin dhe terrin e dimrit. Pra kthehemi tek i ftohti.
Përveçse vë në pah ngrohtësinë e strehëzës familjare dhe fishekzjarrët festivë, ashpërsimi i motit do të duhej, në shoqërinë tonë, të ngrinte edhe problemin e të pastrehëve. Një problem që bëhet aq brutal sa na detyron të kthejmë kokën tjetërkah kur shohim vetë të pastrehët që flenë në kartonë, mbuluar me jorganë rreckash, poshtë kateve të para të ndërtesave apo në ndonjë cep ku s’ndajnë shoqëri me kurrkënd, veç qenve.
Megjithatë, s’janë vetëm endacakët të pastrehë (se ndonjë cinik mund të më akuzojë për “humanizëm mëshiror” këtu). S’janë vetëm endacakët të pastrehë, ashtu siç nuk janë vetëm lypsarët mjeranë e të papunë. Të pastrehët janë shumë më shumë se aq. Pozitivisti do të kërkonte shifra, mirëpo pozitivisti le të shkojë vetë t’i gjejë shifrat në këtë rast. Janë ca gjëra që mund të kuptohen edhe pa u referuar në shifrat e prodhuara nga entet statistikore që mëtojnë të plotësojnë qejfe pushtetarësh përmes rigorit shkencor. Për shembull, është e kuptueshme se çështja e strehimit është hall i pakapërcyeshëm për shumicën, përderisa rroga mesatare është nën 300 euro (deklarativisht, prapë sipas enteve, e sheh që s’kemi ku shkojmë pa to…), ndërsa çmimi i metrit katror vështirë se gjendet për më pak se dyfishi i kësaj shume, edhe ky në periferi të periferisë, atje ku konditat janë tashmë gati për getot e ardhshme, ku betoni takon betonin si në distopitë steampunk. Domethënë, që t’i biem shkurt, me 300 euro në muaj, po të hash edhe bukë, i bie që një metër katror të jesh në gjendje ta blesh për katër muaj. D.m.th. blen tre metra katrorë në vit. Kjo të detyron të jesh së paku çift (ja pra origjina ekonomike e familjes… dhe e varësisë prej saj). Edhe si çift, jo se e ke të lehtë, vetëm nëse janë të dy në punë, i bie të blejnë 6 metra katrorë në vit. Një shtëpi minimale, prej 50 metrash katrorë, po të blesh 6 metra në vit, kërkon 8 vjet e gjysmë. Po të marrësh parasysh edhe mobilimin, llogariti plot 10 vjet. Natyrisht, po të mos jetë marrë kredi (po sigurisht që do të jetë marrë kredi, se 10 vjet rrugëve s’do rrinë – e jo shumëkush ka fatin që të marrë borxh pa interes). Pra, po të kemi parasysh kredinë, mund ta bëjmë fare mirë hesapin për 15 vjet. Kuptohet, po të jenë vazhdimisht në punë. Gjë kjo, jo tamam e lehtë në ditët e sotme. Dhe sërish natyrisht, po të përdorin kontraceptivë e të mos bëjnë fëmijë, se përndryshe llogaritë komplikohen. Për 15 vjet këta dy të rinj do të kalojnë të dyzetat dhe jeta e tyre do të jetë tërësisht tripartite, punë – bukë – shtrat. Funksionet e tjera të jetës do të shndërrohen në lukse që s’ia lejon dot vetes kur e di se sa shpejt mund të mbetesh pa strehë.
Le të themi, pa pikë humanizmi, që kjo perspektivë është çnjerëzore dhe çnjerëzuese në të njëjtën kohë. E në një shoqëri funksionale, së paku ata që angazhohen politikisht, pra forcat politike, mediat, shoqëria civile e intelektualët, do të duhet ta ngrinin këtë si pyetje. Por, meqenëse mantra e përbashkët e aktorëve në fjalë është shkatërrimi i së përbashkëtës dhe ekzaltimi i privates, s’duket se po i ha fort kurrkujt për strehimin.
Perspektiva bëhet edhe më e errët po të mësosh për mijëra, apo dhjetëra mijëra apartamente që janë ndërtuar vitet e fundit e që rrinë të pashitura, të padhëna me qira, të papërdorura. Të ndryra prej investitorëve që nuk i nxiton askush për t’i shitur, gjersa të vijë momenti i duhur dhe të shesin aq sa duan ata. Ç’ndodh në këtë rast me ofertën dhe kërkesën, ku shkon dora magjike dhe e padukshme e tregut, ajo që vë gjithçka në ekuilibër? Ku përfundon ky pehlivan ekuilibër kur investitori ka interesa më prioritare sesa shitja e produktit të vet?
Vërtet, çështja e strehimit do të meritonte më shumë vëmendje prej politikës e aktorëve të tjerë. Ajo do të duhej të ishte një kryeçështje, duke pasur parasysh se neglizhenca e ka prurë shoqërinë në nivele të stresit që domosdoshmërish rezultojnë në familjarizëm, në nepotizëm, në forcimin e institucionit të “mikut” (se miku është ai që ta siguron kredinë, apo që të gjen shtëpinë paksa më lirë, apo që të gjen punë për vete a për bashkëshortin, e që del garant që të mos e humbësh atë vend pune). Pra domosdoshmërish përfundohet në disfunksion, herë social e herë psikik.
Nëse do të rrekesha të jepja një zgjidhje në këtë tekst të shkurtër, brenda kornizave të sistemit aktual ekonomik-shoqëror, ajo do të rrinte te binomi taksë + ndihmë. Njësoj siç duhen taksuar trojet bujqësore të lëna djerrë (se pronari ka leverdi në aktivitete të tjera), ashtu duhen taksuar dhe shtëpitë e apartamentet e batallosura prej investitorëve që i hyjnë punës së ndërtimit për të larë para, apo për qejf, apo për ku di unë pse. Në këtë perspektivën time të skicuar shpejt e shpejt, individi/familja nuk do të taksohej nëse do të zotëronte gjer në 50 metra katrorë (dhe kjo do të duhej të shpallej si minimum jetik, si strehë që i nevojitet gjithkujt dhe që shteti do të duhej t’ia siguronte gjithkujt, përmes ndihmës sociale, kreditimit të butë, apo qerasë në përputhje me të ardhurat etj.). Pastaj, cilido që zotëron më shumë se 50 metra do të taksohej progresivisht. Gjer në 80 metra – 3%, gjer në 120 – 7%, gjer në 200 – 15%, gjer në 300 – 25% e kështu me radhë. Kështu, ai që zotëron 100 apartamente e s’do as t’i shesë as t’i japë me qira, do të ndëshkohej e do të detyrohej t’i nxirrte në treg. E kështu çmimet do të zbrisnin drejt një niveli që e reflekton më mirë fuqinë blerëse, që e reflekton më mirë nivelin ekonomik dhe atë të të ardhurave që ka shoqëria jonë. Ky do të ishte versioni A i zgjidhjes, ndërsa versioni B, paksa më radikal, po sërish brenda kornizave të ekonomisë mikse, do të ishte marrja në dorë e krejt sektorit të ndërtimit të banesave prej enteve publike (shtetërore). Përmes analizimit të nevojave, të demografisë dhe të ekonomisë, do të mund të bëhej një planifikim që shmang getoizimin, shmang dyndjet në zona të caktuara, ruan raportin banorë/punësim dhe zgjidh përfundimisht problemin e strehimit, me kosto shumë më të ulët sesa ajo që po prodhon aktualisht privati në këtë sektor. Por që të ndodhë diçka e tillë, apo që të kërkohet një zgjidhje për këtë emergjencë, duhet që çështja të bëhet temë publike, e temë publike te ne bëhen ato çka do “elita”, gjersa masat popullore e rinia në përgjithësi janë të fjetura dhe të paangazhuara, pre e nihilizmit që induktohet nga lart, duke i refuzuar ato pak thirrje për organizim, edhe pse kjo është e vetmja rrugë për të kërkuar zgjidhje e për ta mbërritur atë. Nga ana tjetër elita, kjo prodhuese bujare shpresash, nuk është kurrë e pastrehë.
SHQIP
Comments
Mos ki frike nga meshira
<p>Mos ki frike nga meshira Arber, mos ki frike nga ata qe mund te te akuzokan per 'humanizem meshiror' pse po permendke te pastrehet . Dmth mos ki frike te jesh edhe komunist edhe njeri, se nuk eshte e pamundur. </p>
Add new comment