Twitter-i si një marifet elektoral

Si zor të gjesh në botën e sotme një politikan të rëndësishëm që t’mos ketë një profil në Twitter, nga i cili dalin mesazhe të shkurtra e eficiente, të cilat merren dhe amplifikohen nga mass-media. Kandidati republikan Newt Gingrich ka mbi një milion ndjekës në Twitter. Edhe politikanë të tjerë amerikanë kanë një numër të madh ndjekësish. Në vende të tjera, ndjekësit janë më të paktë në numër, dhe kjo qoftë për shkak të faktit që internautët janë më të paktë, qoftë për shkak të faktit, që moda e Twitter-it është relativisht e re, dhe si çdo gjë e re në lëmin e zhvillimeve high-tech, primati u takon amerikanëve. Edi Rama, fjala vjen, ka mbi 7 mijë followers. Pak? Sigurisht. Por kemi të bëjmë me një rekord për Shqipërinë.
Mirëpo Twitter-i po përdoret edhe për hile. Kundërshtarët politikë, por edhe njerëz që veprojnë me kokë të tyre, krijojnë profile false, dhe në këtë mënyrë flasin në emër të personazheve të ndryshëm. Shpesh herë duke bërë dëm. Kryebashkiakut të Çikagos, Rahm Emanuel, gjatë fushatës elektorale në dimrin e shkuar, iu desh të rivalizonte me një profil të vetin të rremë në Twitter, që kish ndjekës më shumë se sa profili i tij i vërtetë. Dhe ky klon, apo alter ego, ia nxiu jetën gjatë asaj fushate. Ndërsa nga një profil i rremë në emër të Ministrit italian të Zhvillimit u mor dhe një lajm nga ‘TV La 7’ para ca ditësh.
Është e qartë pra se Twitter-i është një medalje me dy faqe.
Re.Pu.
Add new comment