Tim Judah: Çështja e veriut nuk është zgjidhur, duhen disa dekada

Postuar në 08 Dhjetor, 2011 10:13

Njëfarë qetësimi i situatës në veri të Kosovës dhe arritja e pajtimit mes palës kosovare dhe asaj serbe për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare, mund të ketë kënaqur politikanët (ndonëse jo të gjithë: Daut Haradinaj, fjala vjen, për të shprehur pakënaqësinë e vet lidhur me këtë marrëveshje, bën publike një sms të një diplomati gjerman, ku thuhet: “kjo marrëveshje është thikë pas shpine për Gjermaninë; çfarë mut qeverie keni kështu?”), por ka lënë skeptik korrespondentin e revistës The Economist dhe analistin e Ballkanit, Tim Judah. Ai i tha ‘Radios Europa e Lirë’ se problemi i veriut të Kosovës do të mbetet i ngrirë, madje për disa dekada. “Fakt është që strukturat paralele do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe se serbët e veriut nuk duan të jenë pjesë e Kosovës”, shtoi Judah. Analisti theksoi gjithashtu se nuk ka ndonjë qëndrim të qartë e të përbashkët të vendeve të BE-së ndaj Kosovës, e aq më pak ndaj problemit të veriut. “Ajo mbi të cilën mund të pajtohet Brukseli është se duhet të ketë, de facto, marrëdhënie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se këto dy palë të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore. Por, kur bëhet fjalë për diçka më shumë se kjo, nuk mendoj se ka ndonjë qëndrim të Brukselit pasi nuk ka ndonjë qëndrim të unifikuar për Kosovën në mesin e 27 vendeve anëtare”, theksoi ai. Të premten palët në bisedime arritën një marrëveshje sipas së cilës pikat kufitare në veri do të menaxhohen nga ekipe të përbashkëta kosovaro-serbe.

H.B., M.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.