Murdoch-ët e kanë punën pisk

Postuar në 20 Korrik, 2011 06:11

Ka ditë që mediat janë pushtuar nga debati lidhur me skandalin e gazetës londineze News of the World, gazetarët e së cilës e kishin shndërruar prej vitesh në një praktikë pune përgjimin e telefonave të njerëzve të ndryshëm (nga vip-at deri tek familjarët e ushtarëve të rënë në luftën e Irakut) me synimin për të trukuar lajmet e për t’i bërë ato më të shitshme. Në këtë histori ka rënë në sy (ose të paktën, është diskutuar) roli i mogulit Rupert Murdoch, i cili ka në zotërim të vetin një perandori të tërë mediatike, me anën e së cilës ka patur mundësi të ushtrojë ndikim në politikën e vendeve të ndryshme. Kjo është arsyeja që dje, në orët e pasdites, të gjitha stacionet kryesore të botës kanë qenë duke transmetuar live seancën dëgjimore në parlamentin britanik, ku ishin ftuar për të dëshmuar Murdoch-ët, at e bir.

Seanca ishte shumë interesante. Më shumë se një duzinë deputetësh të Komisionit parlamentar mbi Mediat morën në pyetje për orë të tëra Murdoch-un senior e junior, dhe kanakaren e tyre, Rebekah Brooks. Të tre pranuan se çfarë ka dalë në dritë përbën një skandal, se ata ndiheshin me turp për këtë që ka ndodhur, se pikërisht për këtë ata morën vendimin për ta mbyllur për fare gazetën mbi 160 vjeçare News of the World. Ra në sy  që Murdoch-ët ishin të emocionuar. Barrën kryesore e mbajti James Murdoch-u (si më i ri), por herë pas here ndërhynte dhe i ati. Ky i fundit, në një numër rastesh jepte përshtypjen se nuk dëgjonte, apo nuk kuptonte pyetjet, fliste ngadalë, bënte batuta, merrte papritur një pamje të relaksuar. Nuk qenë të pakta situatat, kur i binte tryezës lehtë me pëllëmbë, gjë që tregonte se dhe aty nuk harronte tabiatet e një manager-i. Por pasiguria i lexohej që larg; të birit dhe Rebeka Brooks-it, gjithashtu. Të jetë e vërtetë, vallë, ajo që thosh dje gazeta New York Times, se “Murdoch-u e ka bërë të udhës që të paguajë pará me synimin për të mbuluar skandalet e veta?” Gazeta e financuar nga manjati Australian, Wall Street Journal, i përgjigjej aty për aty, se “nuk pranon leksione morali nga askush”, por merret vesh se debati do të vazhdojë gjatë. Është shpejt të bëhen parashikime, por duket se perandoria e Murdoch-ut ka marrë një tronditje të fortë.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.