Ministria e Jashtme greke pranon ndërhyrjen në Censusin shqiptar

Postuar në 20 Dhjetor, 2011 02:55

Duket sikur Parlamenti grek ka përherë në axhendë  një pikë për Shqipërinë. Së fundmi, deputetët e forcave politike ekstreme, përfshi dhe ata të LAOS-it, kanë kërkuar sqarime nga qeveria greke dhe ministria e Jashtme e saj në lidhje me regjistrimin e popullsisë në Shqipëri. Në interpelancë Ministria e Jashtme greke me anë të një raporti të gjatë drejtuar parlamentit ka theksuar se i ka ndjekur nga afër gjithë procedurat e regjistrimit dhe ka ndërhyrë në kohë “për mbrojtjen e integritetit të procesit”.

Ministria pranon edhe se ka patur kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri prej nga i rezulton se ata nuk kanë besim tek regjistrimi dhe tek qeveria shqiptare. Disa deputetë të LAOS-it, madje kanë shkuar dhe më tej duke reaguar kundër gjobës 700 euro për deklarimet e rreme në regjistrim, të parashikuar nga Qeveria shqiptare duke pretenduar se kjo ka qenë pengesë për regjistrimin e minoritarëve.

Ky debat parlamentar tregon se Shqipëria për parlamentarët grekë vazhdon të konsiderohet thjesht oborri prapa ku mbahen veglat e punës. Bie në sy se, ndërsa Ministria e Jashtme greke paska ndërhyrë për të mbrojtur integritetin e procesit, Aleanca Kuq e Zi u cilësua me terma poshtërues nga Kryeministri pikërisht pse kërkonte integritet të procesit.

Censusi u zhvillua në Shqipëri në muajin tetor mes shumë kontestimesh, parregullsish e papërgjegjshmërish në plotësim. Aktualisht  të dhënat janë në proces përpunimi dhe rezultatet nuk priten më parë se mesi i vitit të ardhshëm.

n.s.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.