Merkeli Napolitanos në tetor: Largoni Berlusconin se na morët në qafë!

Postuar në 30 Dhjetor, 2011 09:43

Gazeta Wall Street Journal ka zbuluar një prapaskenë politiko-diplomatike që përfshin kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin italian Napolitano. Sipas të përditshmes që del në gjuhën angleze e që lexohet në të gjithë botën, në muajin tetor ka pasur një bisedë telefonike mes të dy shtetarëve. Thuhet që Merkel i ka thënë Napolitanos se “është e shqetësuar nga paaftësia e Berlusconi-t për t’i bërë ballë krizës; nëse nuk veprohet urgjentisht në Itali, kriza mund të përfshijë keq e mund të vërë poshtë gjithë Europën, përfshirë Gjermaninë”. Napolitano raportohet të ketë rënë dakord me shqetësimin e Merkelit, madje i ka shprehur asaj bezdinë që ka ndjerë nga votëbesimi i sapofituar i Berlusconi-t në parlament (me disa vota tepër), gjë që s’do t’i vlejë për asgjë Italisë. Menjëherë më pas ka ndërhyrë Merkeli, dhe i është lutur Presidentit italian që “të bëjë gjithçka ka në dorë për të promovuar reformat”. Me këtë shpjegohen lëvizjet e Napolitano-s në muajin tetor, takimet me forcat politike, dhe presionin mbi Berlusconi-n, derisa ky i fundit u dorëzua.

Duket një scoop i besueshëm, por presidenca italiane e ka mohuar që në atë bisedë të jetë folur për këtë gjë. Do ta pranonte, nëse do të ish folur? Afërmendsh jo.

M.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.