Më në fund një foto Kadare-Qosja. E vitit 1999.

Të gjitha lajmet mbi debatet, sherret e fërkimet mes Kadaresë e Qosjes janë shoqëruar rëndom me ndonjë foto-montazh, pasi nuk gjendet asnjë foto e të dyve. Gazetarët në rrethana të tilla kanë vënë në lëvizje motorrët e kërkimit në internet, dhe përgjigja ka qenë ‘zero’. Nuk ka qëlluar të kenë dalë të dy? Në fakt, ka qëlluar më shumë se njëherë, por është çudi se si nuk kanë përfunduar në google, e gjetkë.
Një foto mund të gjendet në librin e I. Kadaresë ‘Dialog me Alain Bosquet’, botim i vitit 1996. Fotoja është e bërë në shtëpinë pariziene të Ismailit e Helenës, dhe përveç Rexhep Qosjes që është në mes të të zotëve të shtëpisë, janë anash dhe Idriz Ajeti e Mark Krasniqi.
Kjo është një foto e hershme, por ka dhe foto të shkrepura pas vitit 1997, gjë që do të thotë se marrëdhëniet mes të dyve kanë vijuar edhe pas “ngazëllimit të Qosjes për shkak të revolucionit demokratik të vonuar në Shqipëri”. Këtë lajm po e shoqërojmë me një foto të nëntorit të vitit 1999, të bërë në Prishtinë, me rastin e promovimit të librit të Kadaresë ‘Ra Ky Mort e u Pamë’, ku dallohen qartë Rexhep Qosja (duke folur për librin), Ismail Kadare, Bujar Hudhri dhe botuesi kosovar Abdullah Zeneli.
Re.Pu.
Add new comment