Lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Serbisë do të paguhet shtrenjtë

Postuar në 30 Dhjetor, 2011 08:58

Në një shkrim të sotëm te Koha Ditore, Agron Bajrami shtron një pyetje që e kemi anashkaluar të gjithë, se „kush fiton realisht me lëvizjen që mohon Republikën e Kosovës dhe godet xhepin e njerëzve që udhëtojnë“?

Së pari, kosovarët për të kaluar nëpër Serbi, duhet të heqin dorë nga Republika e tyre – targat RKS nuk mund të përdoren në Serbi, ndërsa kalimi i kufirit nuk mund të bëhet me pasaportë të Republikës. Udhëtimi me targa serbe të përkohshme, ka qenë i mundur edhe sot, pra, realisht marrëveshja nuk sjell asgjë të re në këtë pikë.

Së dyti, vetëm sigurimi i veturës për të kaluar matanë bën 105 euro, ndërsa marrja e targave të përkohshme serbe prej letre – me detyrim për çdo targë RKS – kushton 30 euro të tjera dhe 5 euro për çdo ditë qarkullimi nëpër Serbi. Me këto para mund të shkohet vajtje-ardhje deri në Berlin.

Rezultati? Dokumentet e Republikës së Serbisë (përfshirë targat) janë të vlefshme në Kosovë, dokumentet e Republikës së Kosovës (përfshirë targat) nuk janë të vlefshme në Serbi. I vetmi reciprocitet që ekziston është ai i kompanive të sigurimit - ato janë të vetmet përfituese!

Nëse marrëveshja, në fakt, po shet integritetin e shtetit të ri Kosovar, për të mos fituar asgjë qytetarët e saj, kujt i duhet një qeveri që e trumpeton me të madhe?

Është e trishtueshme të shikosh sesi Kosova po kthehet në pasqyrën e shëmtuar të Shqipërisë, ku edhe atdheu shitet, veç për të fituar kohë qendrimi më të gjatë në pushtet. Jo më kot, Agron Bajrami e titullon shkrimin „Lamtumirë Republikë“.

k.c.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.