Djali i Remzi Hoxhës: Berisha ka takuar Millosheviçin, e Gazidede ka takuar Arkanin

Postuar në 13 Dhjetor, 2011 12:01

Ardian Hoxha, djali i biznesmenit kosovar Remzi Hoxha, i zhdukur në rrethana që implikojnë regjimin e parë ‘Berisha’ (1992-1997), ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve AMA, në të cilën jep versionin e vet të ngjarjes tragjike. Sipas tij, babai i tij u ka mbetur në dorë gjatë torturave njerëzve të Gazidedes, ndërsa për këtë të fundit hamendëson se “i është shpejtuar vdekja”.

Legjenda metropolitane thotë se Remzi Hoxha ka patur dijeni mbi faktin që Presidenti Berisha ka patur një takim me Millosheviçin, gjë që në fakt nuk është provuar e dokumentuar deri më sot. Por të njëjtën tezë mbron dhe djali i Remziut. Madje, realiteti që ai tregon është edhe më i pasur se sa vetë legjenda. Ardiani thotë se përveç një takimi të Berishës me Millosheviçin më 30 maj të vitit 1993, në Shën Naum, në të cilin ka marrë pjesë dhe Gligorovi (të bën përshtypje që jepet një datë e saktë), ka pasur dhe një takim të Bashkim Gazidedes me Arkanin (1995), në Shkodër. Lidhur me këtë të fundit, ashtu si dhe me tregëtinë e armëve e të naftës në favor të Millosheviçit, thotë i intervistuari, është informuar Presidenti i atij moti, Berisha; është informuar nëpërmjet mikut të Remzi Hoxhës, Pjetër Arbnorit, dhe zyrës së LDK-së në Kosovë. Por asgjë nuk ka ndodhur. Më saktë, e vetmja gjë që ndodhi ishte zhdukja e Remzi Hoxhës, i cili – kjo lihet në kuptohet në intervistë – ishte i rrezikshëm, ngaqë dinte.

I vetmi person që mund të dëshmojë lidhur me vdekjen e Remzi Hoxhës është Ilir Kumbaro, i cili u ka ikur nga duart policëve britanikë disa ditë më parë; është shpallur ‘wanted’.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.