Albin Kurti: Kontrata me Bechtel-Enka, vjedhja më e madhe e qeverisë

Postuar në 30 Dhjetor, 2011 11:48

Kryetari i Lëvizjes Vetvendosja Albin Kurti iu drejtua gazetarëve me një fjalim në fund të vitit 2011. Kurti u shpreh se ky ishte vit i mungesës së sovranitetit dhe i teprimeve të Qeverisë. “Mungesa e dorës së shtetit bëri që Kosova të jetë një  treg i hapur për secilën ekonomi prodhuese të rajonit, ndërkaq ajo vetë të mbetet pa ekonomi prodhuese. Qeveria e Kosovës në vitin 2011 nuk ka punuar për shtet, por shtetin e ka përdorur për punësim: i kanë punësuar militantët partiakë dhe të afërmit e tyre, prej rojeve aspak të nderit nëpër ndërtesa publike e deri te ministrat, zëvendësministrat, zëvendëskryeministrat dhe e gjithë Qeveria që realizoi interesa private. Qeveria e Kosovës ka treguar gatishmëri për të bërë pazare  dhe me Serbinë kundër funksionimit të shtetit dhe në llogari të territorit të vendit, përderisa qeveria e Kosovës ka treguar gatishmëri për t’i shitur pasuritë publike dhe kombëtare, në të njëjtën kohë, ajo nuk ka treguar guxim për ta mbrojtur vendin”, theksoi Kurti.

“Ne ju kërkojmë falje”, tha ai, “si politikanë të VETËVENDOSJE!-s, të gjithë juve gazetarëve të Kosovës, që e kemi bërë edhe punën e gazetarëve, që jemi përzier edhe në punët tuaja, p.sh. duke informuar e duke publikuar kontratën famëkeqe të Qeverisë së Kosovës me korporatën Bechtel-Enka, e cila paraqet vjedhjen më të madhe të buxhetit të shtetit në Kosovën e pasluftës”.

Duket se në të dyja anët e kufirit të shqiptarëve biznesi funksionon njëlloj me të njëjtët emra dhe shifra fitimi.

A.K.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.