Vrasjet e fundit brenda familjes Bashkësitë Fetare dënojnë rastet.

Komiteti Shtetëror për Kultet, së bashku me Bashkësitë Fetare, duke marrë shkas nga dy ngjarjet e rënda të krimit brenda familjes të ndodhura së fundmi kanë dalë në një deklaratë të përbashkët ku i dënojnë këto akte.
Reagimi i bashkësive fetare ka ardhur pas ngjarjes në Fushë-Kuqe të Matit, ku nëna vrau vajzën dhe më pas kreu vetëvrasje, por edhe për rastin më të fundit në Peshkopi ku 21-vjeçarja e cila ishte 5 muajshe shtatzënë është vrarë nga familjarët e saj.
“Dënojmë me forcë këto akte dhe çdo formë tjetër të krimit apo dhunës brenda familjes, të cilat cenojnë rëndë familjen dhe jetën e individit, si e drejtë hyjnore dhe kushtetuese
Ne besojmë se familja është bërthama e shoqërisë, shkolla e vlerave dhe e dashurisë dhe si e tillë, duhet të bëjmë çmos që ta mbrojmë atë nga krimi dhe dhuna. Jeta është dhuratë e Zotit dhe si e tillë askush nuk ka të drejtë ta cenojë apo ndërpresë atë.
Përtej këtyre ngjarjeve të rënda, ne theksojmë se familja është institucioni i vetëm ku buron jeta dhe dashuria, prandaj të gjithë duhet ta mbrojmë me forcë këtë institucion kaq të rëndësishëm duke sjellë në vëmendjen e shoqërisë se dhuna kurrsesi nuk mund të jetë zgjidhja e problemeve në familje.” –thuhet në deklaratën e përbashkët të Bashkësive fetare dhe Komitetit Shtetëror për Kultet.
Deklarata e Përbashkët nga:
Komiteti Shtetëror për Kultet
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
Kisha Katolike në Shqipëri
Kryegjyshata Botërore Bektashiane
Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë
Add new comment