Turistë të frikësuar dhe pasojat goditëse për Greqinë

Sondazhet dhe skenaret për daljen e Greqisë nga euro vazhdojnë të frikësojnë të huajt të vizitojnë Greqinë, duke i shtuar edhe një goditje tjetër turizmit, pikës më të fortë të Greqisë.
Anullimi i pushimeve në Greqi, nga frika e jostabilitetit dhe episodeve të dhunës, rrezikon mijëra vende pune dhe të ardhura të rëndësishme, që do ta privonin ekonominë greke, në këtë situatë të vështirë ekonomike që po kalon vendi, thuhet në publikimin e “Sunday Times”.
Zyrtarët e sektorit të turizmit vënë në dukje se edhe pse çmimet janë ulur në masën 15%, rezervimet gjatë muajit maj janë ulur me 30%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011, për shkak të frikës nga trazirat sociale. "Ne humbasin 20 000-30 000 rezervime në ditë, për shkak të pasigurisë dhe frikës nga destabiliteti", thotë Andreas Andreadis, president i Shoqatës së Ndërmarrjeve Turistike grek (Sete). Çdo rënie prej 10% në rezervimet, heq 1.5% të PBB të Greqisë dhe shkatërron 100 000 vende pune sezonale, sipas Shoqatës së Ndërmarrjeve Turistike grek.
Berlin Air, linja ajrore e dyta më e madhe gjermane, dhe agjencia e turizmit Rewe Group njoftuan se rezervimet për Greqinë në muajin maj, ishin 30% më të ulëta sesa vitin e kaluar. Kreu i Rewe, Norbert Fimpigk tha se gjermanët tani kanë zgjedhur për të udhëtuar në vende të tjera si Turqia dhe shkak për këtë, sipas mediave gjermane, janë informacionet, mbi zemërimin për kushtet e ashpra që kancelarja Merkel i ka vënë Greqisë, ndaj frika e trazirave i ka bërë gjermanët të shpenzojnë paratë e tyre larg këtij vendi.
Qeveria e përkohshme greke po bën ç’është e mundur për të tërhequr turistët e huaj në vend. Ministrja e Kulturës premton shërbime më cilësore me çmime më konkurruese. Edhe Federata Panhelenike e Turizmit Përgjithshëm premton nga ana e saj pushime të paharrueshme në bregdetin e Greqisë duke theksuar se detet dhe plazhet nuk janë prekur nga kriza aktuale ekonomike dhe se vizitorët do të trajtohen siç janë trajtuar gjithmonë.
Por pavarësisht gjithë reklamave, skenarët “e zinj” që dëgjohen çdo ditë, për daljen e Greqisë nga euro, falimentimin e saj apo kthimin tek dhrahmia, e kanë bërë efektin e tyre. Ulja e fluksit të turistëve, me sa duket është një arsye që në gjithë vendin të mbyllen rreth 80 hotele për shkak të falimentimit.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment