Sondazhet në Greqi

Postuar në 27 Maj, 2012 15:15

Katër sondazhe të reja që publikohen në shtypin e së dielës u japin vendin e parë konservatorëve grekë. Demokracia e Re kryeson tashmë nga 0.5 deri në 5.5% ndaj Radikalëve të Majtë të bllokut SYRIZA dhe mund të krijojë një qeveri koalicioni së bashku me socialistët pasi mund të përqëndrojnë më shumë se 160 nga 300 vendet e parlamentit duke vazhduar reformat e përcaktuara nga marrëveshja e huasë me BE-në dhe FMN-në e duke siguruar ekzistencën e Greqisë në Eurozonë.

Rritja e mbështetësve të konservatorëve ka ardhur pas sulmeve të ashpra të liderit të saj Andonis Samaras ndaj udhëheqësit të Aleancës të së Majtës Radikale dhe rivalit të tij Tsipras, të cilin e akuzon se po flirton me fatkeqësinë.

“Nëse Greqia refuzon marrëveshjen e shpëtimit do të ngelet e izoluar për vite me radhë dhe do të jetë pre e spekulimeve në çdo drejtim. Nuk do të ketë ushqim, ilaçe, karburante, gjatë natës do të ketë ndërprerje 

 

të vazhdueshme të energjisë elektrike dhe kohezioni ynë social do të jetë i përçarë”, thekson Samaras. 

Nga ana tjetër, lideri i SYRIZA ka ripërsëritur se vazhdimi i reformave kështu siç janë pranuar nga socialistët dhe konservatorët do të thotë reduktime të reja të pagave dhe pensioneve, të vendeve të punës në sektorin publik, papunësi akoma më të madhe, mbyllje të mijëra bizneseve të vogla. Në sondazhe 65% e grekëve kërkojnë një rinegocim të marrëveshjes së huasë, ndërsa më shumë se 85% kërkojnë që Greqia të jetë në Eurozonë. 

Analistët mendojnë se grekët tashmë janë frikësuar nga paralajmërimet e Berlinit dhe kreditorëve të tjerë të huaj për mundësinë e kthimit të vendit tek dhrahmia dhe pasojat që kjo mund të sillte. Ndërkohë, deklaratat e kreut të FMN-së Chrisine Lagarde në intervistën dhënë britanikes “The Guardian” se më shumë mendon për fëmijët e Nigerisë se sa për njerëzit në Greqi kanë provokuar komente të ashpra kritike nga mijëra grekë në faqen personale të saj në Facebook. 

Edhe kryesocialisti Venizellos i ka bërë thirrje zonjës Lagarde të rishqyrtojë ato që donte të thoshte pasi me tonin e saj ka ofenduar një popull që ndodhet në një krizë të thellë. Ish-kryeministri Papadhimos ka paralajmëruar gjithashtu se menjëherë pas zgjedhjeve të 17 qershorit grekët duhet urgjentisht të krijojnë një qeveri e cila duhet të veprojë me shpejtësi për të siguruar para për rrogat dhe pensionet sepse fondet ekzistuese mjaftojnë vetëm për disa javë.

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.