Padi në Prokurori, ish-kreut të Portit Durrës e 8 drejtorëve, 17 mln € dëm.

Kontrolli i lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori, ish-Drejtorin e Portit të Durrësit Eduard Ndreun si dhe 8 zyrtarë të tjerë, nga të cilët, 4 ish-drejtorë në Port dhe 4 të tjerë, në Ministrinë e Tranportit. Arsyeja e kallëzimit për nëntë zyrtarët e lartë është ajo e abuzimit me detyrën, keqmenaxhimit të fondeve në vlerën e 16.9 milionë eurove ose 2,35 miliardë lekëve.
Përveç auditimit që ka ushtruar në Port, KLSH-ja i ka kërkuar edhe ILDK_së që të verifikojë nëse këta nëntë drejtues kanë pasur konflikt interesi lidhur me koncensionarët që vepronin në Port.
Në njoftimin e KLSH-së thuhet se më 19 maj 2014, ka përfunduar auditivi në Autoritetin Portual Durrës dhe Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës me objekt “Për zbatimin e ligjshmërisë, rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare dhe vlerësues”.
Ky auditim ka përfshirë periudhën e veprimtarisë ekonomike-financiare të Autoritetit Portual Durrës, nga data 01.09.2010 deri më datën 31.10.2013.
Referuar shkeljeve të konstatuara nga ky auditim dhe të trajtuara më hollësisht në raportin përfundimtar të auditimit, vlera e fondeve të menaxhuara në kundërshtim me dispozitat ligjore arrin në vlerën 2.35 miliard lekë ose 16,9 milion Euro.
Shkeljet kryesore të trajtuara në këtë raport auditimi kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit në:
- zhvillimin e procedurave për dhënien me koncension të një pjese të aktivitetit të APD-së,
- zbatimin e kontratave me subjektet private që operojnë në Autoritetin Portual Durrës,
- procedurat e prokurimeve për investime (blerje mallrash dhe shërbimesh) si dhe zbatimin e kontratave respektive,
- administrimin e vlerave materiale financiare të APD-së,
- përfitimin e padrejtë nga ana e punonjësve të MPPT-së, si pasojë e pagesave të kryera ndaj tyre nga shoqërive të ndryshme koncensionare për hartimin e dokumentacionit të procedurave koncensionare, etj
Një kopje e raportit përfundimtar të auditimit dhe materialeve të tjera shoqëruese do t’i dërgohet ILDKPKI-së, për të verifikuar ekzistencën e konflikteve të mundshme të interesit për ish-drejtuesit e APD-së në raport me subjektet koncensionare që operojnë në këtë autoritet.
Add new comment