Mubarak dënohet me burgim të përjetshëm

Akuzohet për korrupsion, abuzim me detyrën dhe për për vrasjen e protestuesve në vitin 2011
Ish- kreu i shtetit në Egjipt, Husni Mubarak, është dënuar me burgim të përjetshëm. Gjykata e ka shpëtuar atë nga dënimi me vdekje, por ai do duhet të qëndrojë pas hekurave deri në fund të jetës së tij. Kështu merr fund një gjyq i pazakontë për botën arabe. Për herë të parë një ish- drejtues shteti del personalisht përpara një gjyqi të rregullt.
84 vjeçari i sëmurë u dërgua me helikopter në sallën e gjyqit. Ai mbante syze dielli në momentin e dhënies së dënimit.
Procesi u transmetua live në televizionin shtetëror. Gjykatësi e quajti 30 vitet e drejtimit të Mubarak si një erë e zezë për vendin. Mubarak u akuzua për korrupsion, abuzim me detyrën dhe për vrasjen e rreth 850 demonstruesve në fillim të vitit të shkuar. Prokuroria kishte kërkuar dënim me vdekje.
Sot në një gazetë u shfaq një letër e hapur e Mubarak, ku thuhej se ai kishte luftuar për popullin e Egjiptit gjithë jetën e tij.
Mubarak u rrëzua më 11 shkurt 2011. Nën akuzë janë edhe dy djemtë e tij, ish- ministri i Brendshëm dhe dhjetëra zyrtar të lartë të policisë.
TEMA
Add new comment