MJAFT: 22 deputetë, me paga në shkelje të ligjit

Të paktën 22 deputetë re zultojnë të kenë për fituar para në shkelje të ligjit për një aktivitet parlamentar që nuk e kanë kryer kurrë. Lëvizja “Mjaft!” ka publikuar dje raportin mbi periudhën 1 mars – 30 prill në lidhje me monitorimin e veprimtarisë së Kuvendit ku bie në sy fakti se 12 ligjvënës socialistë dhe 10 demokratë janë paguar për pjesëmarrje në mbledhje të komisioneve ndërkohë që nuk kanë qenë prezentë. Në bazë të ligjit “Për statusin e deputetit” në pagën mujore të deputetit përfshihet 40% e pagës për pjesëmarrjen në seancë plenare, 50% e pagës për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit si dhe 10% të pagës për pjesëmarrje në veprimtari të tjera parlamentare.
VOTIMI
Një vëmendje e veçantë në raportin e “Mjaft!”-it i kushtohet edhe shkeljeve të vërejtura gjatë procesit të votimit në seancë plenare. Për periudhën 1 mars – 30 prill janë identifikuar vetëm dy deputetë që në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit kanë votuar për kolegun në krah. Ata janë Artan Gaçi dhe Luiza Xhuvani, të cilët i përkasin Partisë Socialiste.
KRYETARËT
“Mjaft!” në raportin e saj denoncon gjithashtu edhe mungesën “e korrektësisë së treguar nga ana e kryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare në respektimin e kuorumit të nevojshëm për çeljen e mbledhjeve dhe miratimin e ligjeve”. Në këtë kuadër, problematik gjatë kësaj periudhe monitorimi kanë rezultuar kreu i komisionit për Ekonominë, Edmond Spaho dhe ai për Veprimtarinë Prodhuese, Jemin Gjana, i cili sipas konkluzioneve të raportit “në mënyrë të vazhdueshme dhunon Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë”.
SHKELJA E RREGULLORES
Një nga çështjet më të rëndësishme të këtij raporti është ajo e respektimit të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë nga deputetët, gjatë seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Nga analiza e të dhënave të marra nga monitorimi rezulton që gjatë periudhës mars-prill 2012, të jenë konsumuar nëntë raste të shkeljes së parashikimeve të Rregullores së Kuvendit nga të cilat: 5 raste përbëjnë shkelje të nenit 34, ku përcaktohet vlefshmëria e mbledhjeve të komisioneve të përhershme parlamentare; 2 raste të tjera kanë të bëjnë me dhunimin e nenit 57, i cili përcakton karakterin vetjak të votës dhe mos delegimin e saj dhe 2 të fundit kanë të bëjnë me etikën parlamentare, konkretisht me nenin 62 në të cilin përcaktohet rregulli dhe sjellja në Kuvend.
Ballkanweb.com
Add new comment