Mars, kredia për sektorin privat u rrit 9%

Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 9.0% në muajin mars të këtij viti. Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të saj, bën të ditur se, “ecuria e kredisë për sektorin privat, veçanërisht në muajt e fundit, është diktuar nga një kërkesë në rritje e këtij sektori për financim dhe nga një sjellje e kujdesshme e bankave në kredidhënie”. Nga ana tjetër “tregjet financiare kanë qenë likuide dhe të qëndrueshme.
Sipas BSH-së, normat e interesit në tregun ndërbankar janë ulur ndjeshëm në muajin prill dhe vëllimi i shkëmbyer në këtë treg ka pësuar rritje. Analiza e të dhënave monetare sugjeron se ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet në ekonominë reale. Oferta monetare ka ruajtur ritmin e rritjes të vërejtur në fundin e vitit të kaluar, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.8% në muajin mars.
Analizat tona sugjerojnë se zgjerimi i saj është në përputhje me ecurinë e kërkesës së ekonomisë për para reale, duke sinjalizuar presione të përmbajtura inflacioniste me natyrë monetare në periudhën afatmesme.
Ballkanweb.com
Add new comment