Kriza, bursa greke arrin nivelin më të ulët në 22 vjet

Postuar në 25 Maj, 2012 13:01

Bursa e Athinës u hap në një nivel historik të ulët e indeksi i përgjithshëm ka rënë nën kufirin e 500 pikëve, gjë që tregu nuk e ka parë në më shumë se 20 vjet. Situata e Greqisë vazhdon të shqetësojë tregjet europiane e të shtojë pasiguritë e investitorëve.  Sondazhet e fundit e vendosin të majtën radikalë të Syrizës në krye, me 30 për qind të votave, në zgjedhjet e 17 qershorit që konsiderohen si momenti më kritik për qëndrimin e vendit në eurozonë. 

Katër pikë më pak vendosin në vend të dytë konservatorët e Demokracisë së Re, ndërsa me 15.5 për qind të mbështetjes, në vend të tretë renditet PASOK. Analistët thonë se fitorja e Syrizës ka gjasa të mos çojë sërish në formimin e një qeverie. Aksionet europiane u çelën sërish në rënie dhe sot janë duke mbyllur një javë të mjerë, pasi investitorët mësuan se së paku gjysma e shteteve të zonës euro janë duke bërë plane për një dalje greke nga monedha e përbashkët.

Britanikja FTSE ishte 13 pikë më e ulët, DAX gjerman 27 pikë e titujt francezë të CAC ishin 6 pikë më pak në çelje të bursës sot. Kryeministri italian Mario Monti spekuloi se Greqia do të qëndrojë në zonën e euros. Sipas Montit, partnerët e eurozonës e kanë pasur gabim që kanë insistuar në  procesin e reformave dhe rregullimeve financiare që u imponua me aq shpejtësi sa që vendi nuk mund të përballonte. Duke folur në një emision italian, ai shtoi se është në interesin e Gjermanisë për të siguruar që asnjë anëtar nuk e lë euron. 

Megjithatë brenda unionit sa vjen e shtohen zërat që përkrahin daljen e shtetit grek nga eurozona, ndërsa monedha e përbashkët rri pezull pranë nivelit më të ulët në dy vjet në raport me dollarin amerikan. Të dhënat e publikuara tregojnë se dhe sektori i prodhimit gjerman, 'u tkurr në normën më të shpejtë në tre vitet e fundit, duke nënvizuar atë që kanë parashikuar me kohë analistët se asnjë shtet evropian nuk është i imunizuar nga kriza e vazhdueshme e borxhit'. Euro ka rënë gati dy për qind gjatë kësaj jave.

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.