Kreu i EUROPOL takon Didin Vlerëson operacionin në Lazarat.

Aksioni i policisë në Lazarat është vlerësuar edhe nga Drejtori i EUROPOL, Rob Wainwright. Ky vlerësim i është shprehur drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit gjatë takimit me kreun e EUROPOL në selinë qendrore të Policisë Europiane në Hagë. Wainwright vlerësoi progresin që ka bërë Policia e Shtetit gjatë këtij viti në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe përgëzoi Policinë Shqiptare për ndërmarrjen e operacioneve të suksesshme si operacioni më i fundit që po zhvillohet në Lazarat.
Gjatë takimit theksi u vu dhe tek fuqizimi i mëtejshëm i bashkëpunimit pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së bashkëpunimit strategjik dhe operacional, si dhe nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë dhe EUROPOL-it, që është hapi finalizues i marrëveshjes së bashkëpunimit operacional midis Policisë Europiane dhe Shqipërisë.
Ofrimi i ekspertizës nga vendet anëtare në organizatë ndaj Policisë Shqiptare, mundësia e aksesit të Policisë së Shtetit në dosjet analitike të Europolit, si dhe në vendosjen e Pikave të Kontaktit në fusha të tilla si prodhimi e trafiku i narkotikëve, lufta kundër trafiqeve, lufta kundër krimit kibernetik, prodhimi e trafikimi i armëve, etj; kanë qenë temat e tjera ku është fokusuar biseda.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i shprehu mirënjohjen për vlerësimin e treguar nga EUROPOL, duke e pranuar Policinë Shqiptare pranë organizimit të Policisë Europiane.
Add new comment