Kamarieri i vrarë, viktimës i vunë atleten mbi varr, 2 burgime përjetë.

Postuar në 29 Maj, 2014 02:44

Një histori dashurie mes kamarierit dhe një banakiereje të një lokali në qytezën e Klosit, ka sjellë vrasjen e një 23-vjeçari dhe më pas groposjen e tij me eskavator në një thellësi prej 1.5 metra në shtratin e lumit Mat. Bashkëshorti i Flora Boja, Përparim Boja dhe dy persona të tjerë Astrit Boja dhe Fation Cani janë përfshirë në vrasjen e 23-vjeçarit Fation Barmeta, ngjarje kjo që ka ndodhur në 22 nëntor 2012. Krimi i rëndë ka si motiv xhelozinë, ndërkohë mënyra e kryerjes së vrasjes ka qënë me sende të forta dhe më pas trupi i të riut është varrosur me zhavor.

Sipas prokurorisë, vrasja është kryer pas disa konflikteve të njëpasjëshme me viktimës dhe shtetasve Përparim dhe Astrit Boja, të cilët e kishin keqtrajtuar disa herë. Kjo pasi, i riu ngacmonte gruan e Përparimit, e cila punonte si banakiere në lokalin që menaxhohej nga vetë ajo dhe burri i saj Përparimi. Për këtë krim, gjatë ditës së djeshme prokuroria e Matit, ka lexuar konluzionet përfundimtare në gjykatë, ku ka kërkuar dënimin me burg përjetë të shtetasve Përparim Boja dhe Fation Cani, ndërsa për të pandehurin tjetër Astrit Boja ka kërkuar 25 vjet burg. Pritet që pas dhënies së konkluzioneve të mbrojtjes gjykata të japë vendimin përfundimtar për ngjarjen që dy vite më parë tronditi opinionin publik.

Atlete mbi varrin
Nga hetimi i çështjes penale ka rezultuar se, në datën 17.11.2012 rreth orës 20:45 min në hyrje të qytetit të Klosit, pikërisht përpara lokalit të të pandehurit Përparim Boja, ky i fundit në bashkëpunim edhe me vëllain e tij Astrit Boja, si dhe të pandehurin Fation Cani, sipas pohimeve dhe të të pandehurit Astrit Boja, kanë vrarë me sende të forta shtetasin Fation Barmeta, gjatë kohës që ky i fundit po kalonte para lokalit në fjalë në drejtim të banesës së tij, e cila ndodhet jo shumë larg vendit të ngjarjes.

Pas goditjeve në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, trupin e viktimës e kanë futur në bagazhin e automjetit veturë tip “Volvo” me targë MT 32 82 A në pronësi të pandehurit Fation Cani, dhe më pas e kanë larguar nga vendi përpara lokalit të të pandehurit Përparim Boja. Autorët në fjalë, kanë vazhduar rrugën për në drejtim të një karburanti dhe kanë devijuar nga rruga nacionale duke u futur në një rrugë dytësore me drejtim për në bregun e lumit Mat, ku pasi kanë mbërritur aty, i pandehuri Fatjon Cani nëpërmjet një eskavatori ka hapur një gropë, në të cilën kanë futur dhe mbuluar me një sasi të madhe zhavorri trupin e viktimës Fatjon Barmeta dhe sipër grumbullit të këtij zhavorri kanë lënë një nga atletet që kishte veshur viktima në momentin e ngjarjes. Pas kryrjes së krimit në fjalë të tre të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Zbulimi i autorëve
Më datën 18.11.2012, shtetasi Liman Barmeta, babai i viktimës ka bërë kallëzim penal përpara oficereve të Policisë Gjyqësore në Komisariatit e Policisë Mat, në lidhje me humbjen e djalit të tij (të ndjerin) Fatjon Barmeta. Babai ka treguar se ka dyshime tek shtetasit Perparim Boja, Astrit Boja dhe Fatjon Cani.

Pasi disa kohë para ngjarjes motrat e të pandehurëve Astrit e Përparim Boja kanë debatuar me prindërit e viktimës Fatjon Barmeta, Liman e Nexhmie Barmeta, ku në bisedë e sipër i kanë kërkuar këtyre të fundit që të ndalojnë djalin e tyre viktimën Fatjon Barmeta që të mos kryej veprime ngacmuese ndaj kunatës së tyre shtetases Flora Boja, nusen e Përparimit, të vëllait. Si dhe gjatë kërkimit natën që i kishte humbur djali, njerëzit e afërt të tij, shtetasi Mehmet Barmeta i kishte thënë se tek karburanti i Hasës në anën e poshtme të rrugës nacionale në orët e vona të natës të datës 18.11.2012 ka parë tre persona të veshur me xhupa dhe kapuç në kokë, ku nga këto persona ka njohur të pandehurin Fatjon Cani.

Nisur nga keto të dhëna policia gjyqësore e Matit ka filluar të kryejë veprime proceduriale për individualizimin e përgjegjësisë penale të  personave që dyshoheshin se kishin lidhje me humbjen e viktimës Fatjon Barmeta. Nga veprimet e kryera dhe të administruar në fashikullin e procedimit penal rezultoi e provuar se shtetasi Fatjon Barmeta, është bërë viktimë e një ngjarje të rëndë kriminale dhe autorë të kësaj ngjarje janë të pandehurit Përparim Boja, vëllai i tij Astrit Boja dhe Fatjon Cani.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.