Juncker: Grekë, mos i ktheni shpinën euros, rrezikojmë të gjithë!

Disa orë para zgjedhjeve në Greqi, kreu i Eurogrup Jean-Claude Juncker iu bën thirrje grekëve “të mos i kthejnë shpinën euros”.
Në intervistë për një gazetë austriake, Jean-Claude Juncker paralajmëron se "në qoftë se zgjedhjet i fitojnë të majtët radikalë, diçka që nuk përjashtohet, atëherë do jenë të paparashikueshme efektet që kjo fitore do sjellë në çështjet e bashkimit monetar".
"Ne si Eurogroup duhet të flasim me çdo qeveri greke. Vetëm se paralajmëroj gjithkënd, të mos e lerë eurozonën, sepse kjo do të rrezikojë qëndrueshmërinë e saj”, tha Juncker. Ai gjithashtu siguron se në qoftë se Greqia do të lerë zonën euro, do të ketë ndikime ekonomike dhe sociale dhe humbje për gjithë bashkimin monetar në Evropë. "Grekët duhet ta dinë këtë dhe ta shmangin", thotë Juncker duke shtuar se "zgjedhjet e treta nuk do jenë zgjidhje".
Juncker shton se Eurogroup pret të konsultohet mbi programin e reformave të propozuar nga qeveria e re greke, e cila do të dalë nga zgjedhjet e së dielës.
Së fundi, ai bëri të ditur se natën e zgjedhjeve greke, do të jetë në një kontakt të hapur telefonik me kreu ne BQE, Mario Draghi dhe me Komisionerin për Çështjet Ekonomike dhe Monetare, Oli Rehn.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment